Shqiptarët e paguajnë energjinë më shtrenjtë se çdo vend i rajonit

Shqipëria gjatë këtij viti ka pasur çmimet më të larta të energjisë për konsumatorët familjarë në raport me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.
Eurostat në publikim të statistikave për çmimet e energjisë në Europë, identifikoi se Shqipëria për nga çmimet e larta të energjisë la pas Kosovën, Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe ofron çmime të ngjashme me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Krahasimi i çmimit është bërë nga Eurostat në euro për kilovatorë.
Për konsumatorët familjarë çmimet e energjisë elektrike gjatë gjysmës së parë të vitit 2016 kanë qenë më të larta në Danimarkë (0,309 euro për kWh), Gjermani (0,297 euro për kWh) dhe Belgjikë (0,254 euro për kWh).
Ndërsa çmimet më të ulëta të energjisë elektrike i përfituan konsumatorët familjarë në vendet anëtare të BE si Bullgaria me (0,096 euro për kWh), Hungaria (0.111 euro për kWh) dhe Estonia me (0,121 euro për kWh). Çmimi i energjisë elektrike për familjet në Danimarkë ishte 3 herë më e lartë se çmimi në Bullgari.
Në përgjithësi çmimet e energjisë elektrike për familjet në Europë janë rritur në vitin 2008, kanë mbetur të qëndrueshme apo me pak ulje në vitin 2009, u ngjitën përsëri më 2010 dhe kanë pësuar një rënie të lehtë në vitin 2016.
Për konsumatorët familjarë, taksat më të ulëta që paguhen për energjinë janë në Mbretërinë e Bashkuar (4.7%) dhe Maltë (4.8%), ku për çmimin bazë është aplikuar një normë e ulët e TVSH-së. Taksat më të larta aplikohen në Danimarkë, ku gati 70% të çmimit final përbëhet nga taksat dhe tatimet.
Ndërmjet gjysmës së parë të vitit 2015 dhe të njëjtës periudhë të vitit 2016, rritja më e madhe e çmimeve në mesin e shteteve anëtare të BE-së është vërejtur në Belgjikë (+20%), ndërsa çmimet ulen ndjeshëm në Qipro (-22%) dhe Holandë (-18%).

1030 ndërmarrje qarkullojnë 6 miliardë euro, gjysmën e ekonomisë

Në total, shitjet e realizuara nga bizneset më 2015-n arritën në rreth 13 miliardë euro, sipas të dhënave nga INSTAT, por ndarja e tortës së shitjeve, nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare…
Janë rreth 1000 ndërmarrje në vend, të cilat realizojnë rreth 46% të totalit të shitjeve në ekonomi, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e INSTAT. Ndonëse këto përbëjnë më pak se 1% të totalit të bizneseve në vend (në total ka 104.5 mijë ndërmarrje në vend) ato kanë një peshë shumë të rëndësishme në grumbullimin e parave që shqiptarët shpenzojnë për konsum. Në vitin 2015, ato kanë realizuar shitje prej 840 miliardë lekësh apo rreth 6.1 miliardë euro.
Por këto ndërmarrje zënë një peshë të rëndësishme edhe në punësim, teksa në to punojnë gati 40% e të punësuarve në sektorin privat ose 169 mijë persona.
Edhe ndërmarrjet me 10-49 të punësuar, kanë peshë të rëndësishme në qarkullimin e parasë, duke zënë 30.3% të shitjeve neto më 2015-n.
Në pjesën më të madhe këto janë sipërmarrje pa vlerë të shtuar në ekonomi, që janë të fokusuara në tregtimin e karburanteve apo shitjen me shumicë. Sipas të dhënave që “Monitor” ka publikuar më parë, në kuadër të renditjes së 200 kompanive më të mëdha në vend për vitin 2015, mbizotërojnë kompanitë me aktivitet tregtar, që në pjesën më të madhe janë financues direkt të importeve, me 43 të tilla, të ndjekura nga bizneset e naftës që arrijnë në 24. Ndërtimi ka 17 kompani të tilla në listë. Ndërsa ka vetëm 19 sipërmarrje në industrinë përpunuese e prodhuese. Në qarkullimin e parasë në vend dominojnë pikërisht kompanitë e naftës, që kanë deklaruar rreth 1.5 miliardë euro të ardhura për vitin 2015.
Ekonomia shqiptare gjithsesi karakterizohet nga shumë ndërmarrje të vogla, me 1-4 të puënsuar, që përbëjnë 89% të numrit të bizneseve aktive apo rreth 93.4 mijë biznese, por që në pjesën më të madhe thjesht mbijetojnë dhe sigurojnë të ardhura minimale. Shitjet e realizuara nga këto 93 mijë biznese përbënin vetëm 13.8% të totalit apo rreth 252 miliardë lekë (rreth 1.8 mld euro). Por, ato janë shumë të rëndësishme në vetë punësim, pasi në to punojnë një e treta e të punësuarve ose rreth 145 mijë persona. Këto biznese vitet e fundit po ndiejnë presionin e frenimit të konsumit dhe ndryshimeve strukturore të ekonomisë, ku qendrat tregtare dhe supermarketet po i çojnë subjektet e vogla tregtare drejt falimentit, një dukuri e trajtuar dhe më herët nga “Monitor”.

“Monitor”

Artikulli paraprakNë Shqipëri ka 104 mijë biznese, gjysma në tregti
Artikulli tjetërTahiri fsheh vrasjen për pazaret e drogës