Shqiptarët humbasin 20% të kursimeve në banka nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit. Hijet e piramidave

Ka një mungesë historike besimi ndaj monedhës vendase, që i ka rrënjët që në kohën e Zogut, kur zhvlerësimi i monedhës kombëtare i bëri njerëzit të lidheshin me floririn. Edhe në kohën e komunizmit, ata që kishin flori i ruanin me kujdes.
Në fillim të viteve ’90, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi, referencë për shqiptarët u bë dollari. Që prej vitit 2003, kur kaloi për herë të parë dollarin në bursat ndërkombëtare, euro është monedha e preferuar për blerjen e aseteve të qëndrueshme, sidomos apartamentet dhe makinat. Çmimet e shtëpive sot kuotohen në euro, por edhe makinat shiten në këtë monedhë.
Edhe kursimet e tyre, shqiptarët nuk preferojnë që t’i mbajnë në monedhën vendase. Në fund të muajit shkurt 2018, 52% e kursimeve totale në banka janë në valutë, kryesisht në euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Pesha e kursimeve në valutë është rritur vitet e fundit, teksa në dhjetor 2015, për herë të parë kursimet në valutë i kaluan ato në lekë.
Por, sot, teksa euro dhe dollari po bien kursimet në valutë vlejnë më pak, nëse do të konvertoheshin në lekë. Euro zbriti në fund të javës së kaluar në 128.84 lekë, nivelin më të ulët në 10 vite, ndërkohë që dollari luhatet rreth 105 lekëve, niveli më i ulët i katër viteve.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shkurt, depozitat në euro ishin gati 3.7 miliardë euro, që të konvertuara me kursin aktual të këmbimit (1 euro=129 lekë) arrijnë në 476 miliardë lekë. E njëjta sasi depozitash në valutë e konvertuar me kursin mesatar të 2017-s (1 euro=134 lekë) është 495 miliardë lekë. Pra vetëm nga zhvlerësimi, kursimet në euro kanë rënë me 19 miliardë lekë, apo me rreth 150 milionë euro në tre muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të përllogaritura nga Monitor.
Në raport me vitet e mëparshme, kur euro këmbehej në rreth 140 lekë, humbja është më e lartë. Nëse euro do të këmbehej sërish në ato nivele, të njëjtat kursime, të konvertuara në lekë do të vlenin 39 miliardë lekë, ose gati 300 milionë euro më shumë.
Edhe vlera e kursimeve në dollarë ka qenë në rënie, ndonëse më e lehtë për shkak se depozitat në monedhën e gjelbër janë shumë më të ulëta. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shkurtit të këtij viti, ishin 626 milionë dollarë. Me monedhën e gjelbër që këmbehet aktualisht me 105 lekë, humbja në raport me 2017-n, kur mesatarja e këmbimit ishte 119 lekë, është rreth 8.7 miliardë lekë, ose rreth 67 milionë euro.

Pra për të dyja valutat, humbja i kalon 200 milionë euro në vetëm tre muaj.
Edhe Banka e Shqipërisë raportoi në vitin 2017 një humbje rekord prej 115 eurosh, që erdhi si rrjedhojë e zhvlerësimit të rezervave të saj në valutë, nga nënçmimi i euros dhe dollarit.
Paralajmërimi për trazira sociale
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi i ftuar në Fax Neës u shpreh se, zhvlerësimi i euros është lidhur automatikisht me eksportet. Zusi u shpreh se, impakti që ka rënia e euros do të jetë e ngjashme me firmat piramidale në Shqipëri.
“Që në krye të herës në janar, kur u shpall strategjia e deeurizimit, menjëherë shfaqëm dyshimet tona se kjo strategji, në këtë formë, pa konsultim publik do të kishte pasojë zhvlerësimin e euros. Zhvlerësimi i euros është i lidhur automatikisht me eksportet dhe këtu flasim për një parim të zhvillimit ekonomik.Ne kërkuam që të kemi një transparencë, nëse strategjia monetare po jep efektin e duhur apo jo. Nëse një politikë e caktuar monetare prodhon destabilitet, prodhon ecje mbrapa të ekonomisë së vendit, pasi ulja e eksporteve është padiskutim fenomeni më negativ i një ekonomie”.
Zusi u shpreh se, ministri i Ekonomisë duhet që të pronocohet për këtë rënie në pikiatë të euros.
“Donim të bënim me dije dhe Kryeministrin, sepse ajo çfarë mund t’i ndodhi ekonomise së vendit për shkak të rënies së euros, mund të krahasohet me atë që kanë shkaktuar piramidat në Shqipëri. Situata në këtë moment është e tillë të gjithë bizneset janë duke humbur muaj për muaj, deri në 10 mijë euro në muaj. Jemi në një situatë ku ekonomia ka filluar të japë shenjat e para të një rënie të fuqisë blerëse. Nëse do të fillojë kjo rënie e euros do të kemi pasoja të rënda. Ulja e eksporteve është fenomeni më negativ i ekonomisë. Në fund të vitit do të kemi më pak vende pune, mund të kemi demotivim të bujqësisë, fermerët nuk do të bëjnë investime.
Euro po zhvlerësohet dhe kjo është gjë e gabuar. Nëse nuk ka para që vijnë nga ekportet kush do t’i blejë importet?! Nëse nuk ka para në treg kush do t’i blejë produktet!? Nëse këto industri nuk do të punësojnë këto njerëz, kush do t’i blejë produktet e importit. Do të jenë vetë importuesit që do të ankohen, pasi nuk do të mund që të shesin. Qeveria duhet të thërrasi në Parlament Guvernatorin.

Qeveria nuk mund të tolerojë politika monetare që zhvlerësojnë zhvillimin e ekonomik. Nëse vazhdon kjo situatë mbas një viti do të ketë trazira sociale. E krahasoj impaktin e rënies së Euros me atë të firmave piramidale. Shqipëria në vit për shkak të rënies së euros humbet 300 milionë dollarë. Në harkun e 2 ose 3 viteve do të kemi humbje si ato të firmave piramidale. Nuk ka ekonomi që funksionon me importe, qeveritë duhet të nxisin eksportet dhe jo importet. Ne kemi një rënie të euros për shkat të ndërhyrjes administrative. Unë mendoj se, Banka e Shqipërisë është duke dështuar në kontrollin e flukseve të valutës që hyn në vend. Nga po vjen ky fluks i Eurove në vend që shkatërroi balancën e Euros!? I gjithë ky proces i zhvlerësimit të eksporteve shqiptare duhet të hetohet nga Prokuroria”, u shpreh Zusi.
Ndërkohë në një letër të drejtuar Guvernatorit, Zusi shprehet se, nëse euro do të qëndrojë në këto nivele përkundrejt lekut, ekonomia shqiptare do të ketë këto impakte gjatë vitit 2018:
Do të mungojnë afro 7 miliardë lekë nga eksportet në qarkullimin e brendshëm.
Do të mungojnë afro 3.5 miliardë lekë nga remitancat.
Do të qarkullojnë afro 3.5 miliardë lekë nga turizmi.
Pra, në total në ekonominë vendase do të qarkullojnë afër 14 miliardë lekë më pak.
Për efekt fiskal, do të kemi afër 25% të munguar në buxhetin e shtetit, pra afër 3.5 miliardë lekë (26 milionë euro) më pak në buxhetin e shtetit vetëm për vitin 2018.
Nëse do të merrnim në konsideratë që po kjo shumë do të jetë dhe xhiro e munguar e bizneseve të tjera të lidhura qoftë me industrinë e eksporteve, atë të turizmit apo të impaktuara drejtpërdrejt nga blerjet e shtesës së popullsisë që jeton në sajë të remitancave, të gjitha këto efekte dyfishohen. Ndërkohë, po të llogarisim koston për hapjen e një vendi pune të barabartë me afro 2 milionë lekë, vetëm për këtë vit nga mungesa e këtyre të ardhurave për sipërmarrjet e prekura, do të kemi aftësi të reduktuar për hapjen e të pakten 3500 deri në 7000 vende të reja pune. Duke mos llogaritur këtu edhe reduktimet e mundshme apo shkurtimin e personelit për shkak të rënies së konkurrueshmërisë dhe të xhiros së biznesit të sipërmarrjeve eksportuese por dhe atyre të lidhura me to.
Ndërkohë humbjet janë të mëdha edhe për kursimet e qytetarëve. Zhvlerësimi i euros me gati 20% të vlerës së saj nënkupton se qytetarët do të humbin nga kursimet e tyre 20% të depozitave që kanë në banka ne rast te konvertimit me lekun.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërVendi drejt zgjedhjeve të reja?