Shqiptarët kërkojnë ikjen e Ramës, por jo riciklimin e së shkuarës

Nga Rigels Seliman

Më 11 maj nuk do jetë thjesht një ditë zgjedhjesh. Do të jetë akti i fundit i një tragjikomedie që e ka lodhur Shqipërinë për tre dekada. Sali Berisha, politikani që ka ndërtuar një kult mbi frikën, përçarjen dhe mashtrimin, do të përballet me një humbje që nuk do mund ta fshehë as me grushta mbi tavolinë, as me çirrje e thirrje revolucionare para selisë së PD-së së rrëmbyer. Kjo nuk do jetë një humbje thjesht politike. Ky do jetë një falimentim moral, një turp historik.

Sali Berisha kërkon të kthehet në pushtet si “i përndjekur”, ndërkohë që është njeriu që ka lënë pas vetes të përndjekur të vërtetë, njerëz që kanë ikur nga sytë këmbët, të rinj që s’kanë më shpresë, demokratë që e kanë mbajtur flamurin me idealizëm dhe sot “hanë bar” për një karrige që s’u dha kurrë. Pas 11 majit, pikërisht ata demokratë që i shkuan pas me sy mbyllur, do të përballen me realitetin e hidhur: janë veç mish për top në betejën personale të një njeriu që nuk di të humbasë, por di të djegë gjithçka në rrugën e tij, madje edhe partinë, edhe vendin.

Sali Berisha do të humbasë sepse shqiptarët nuk i hanë më premtimet e ricikluara. Sepse gjuha e përçarjes nuk frymëzon më. Sepse koha e baballarëve politikë që predikojnë si në 1992-shin ka vdekur. Sepse populli ka nevojë për të ardhmen, jo për hakmarrje dhe rrënim.

Më 11 maj bie një regjim brenda opozitës. Pas kësaj date, demokratët nuk do kenë më as shpresë, as përfaqësim – veç zërin e një lideri të vjetruar që flet për revolucion nga ballkoni, ndërsa ata “hanë bar”, dhe shikojnë ëndrrat e tyre të shpërbëhen bashkë me të vërtetën që s’pranuan kurrë.

Do ta dëgjosh këtë fjali gjithandej pas 11 majit: “I shkuam pas kot, e na la rrugëve.” Dhe ky do jetë “varri politik” i Berishës.

Exit mobile version