Totali i pasurisë së shqiptarëve është 21 miliardë dollarë, sipas raportit më të fundit të Credit Swisse për pasurinë globale 2016, të publikuar dje.
Pasuria për çdo të rritur shqiptar është rreth 9200 dollarë. Në raport me vitin 2000, pasuria për të rritur është trefishuar. Megjithatë, cilësia e raportimit të të dhënave konsiderohet e varfër. Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Pasuria e të rriturve shqiptarë është shumë më e ulët se mesatarja botërore prej rreth 52.8 mijë dollarë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pasuria e të rriturve shqiptarë është ndër më të ulëta, duke ia kaluar vetëm Serbisë.
Në raport, pasuria për çdo të rritur maqedonas është 9600 dollarë, për Serbinë është 6900 dollarë. Për Bosnjën është shumë më e lartë, duke arritur në 11.4 mijë dollarë, në Bullgari arrin në rreth 14.8 mijë dollarë dhe në Rumani rreth 13.8 mijë dollarë.
Nga vendet fqinjë, më të pasur janë malazezët, ku një i rritur ka një pasuri prej 18.8 mijë dollarë.
Më të pasur janë kroatët, me një pasur prej rreth 22.3 mijë dollarë. Ndërsa në gjithë rajonin e Ballkanit, më të pasur janë sllovenët me 57.4 mijë dollarë.
Raporti
Edicioni i shtatë i Pasurisë Globale konfirmon një kurs të dobët të rritjes së pasurisë globale. Në 12 muajt e fundit, pasuria globale është rritur me 3.5 USD trilion në 256 USD trilionë, që paraqet një rritje prej 1.4%. Megjithatë, krijimi i pasurisë ka mbajtur thjesht ritmin me rritjen e popullsisë. Si rezultat, në vitin 2016, pasuria për të rritur ishte e pandryshuar për herë të parë që nga viti 2008, në rreth USD 52,800. Në mesin e ekonomive kryesore, SHBA dhe Japonia ishin në gjendje të gjenerojnë rritje të ndjeshme të pasurisë shtesë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar një rënie e ndjeshme si pasojë e zhvlerësimit të monedhës.
Pasuria mesatare për të rritur në botë ishte 52,800 dollarë, duke shënuar ndryshime të mëdha nga një shtet në tjetrin. Kombet më të pasura, ku pasuria për të rritur i kalon 100 mijë dollarë janë në Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara vijuan të rrisnin pasurinë, duke shtuar pasurinë me 1.7 trilionë dollarë.
Zvicra mbajti vendin e parë dhe kryeson me diferencë me Australinë (USD 376,000, në rënie me SD 5,000). Shtetet e Bashkuara (USD 345,000, me rritje USD 3,000) dhe Norvegjia janë ende përkatësisht në vend të tretë dhe të katër, por Zelanda e Re (USD 299,000, në rritje me USD 34,000) ka kërcyer në vendin e pestë, duke lënë pas Mbretërinë e Bashkuar, Singaporin dhe Belgjikën. Kanadaja me (USD 270,000, me rritje USD 2,000) ka rënë në vendin e nëntë, ndërsa Danimarka (USD 260,000, në rritje nga USD 5,000) ka mbajtur vendin e dhjetë.