Shqiptarët në bllok në qeverinë e re

Përfaqësues nga partitë politike në Maqedoni, që përbëjnë shumicën parlamentare, bëjnë të ditur se brenda ditës, e më së voni gjatë kësaj fundjave, pritet të përmbyllen bisedimet për formimin e qeverisë së re.
Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili është i përfaqësuar me dhjetë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë, do të marrë pjesë në qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaevi duke drejtuar pothuajse dikasteret e njëjta që ka drejtuar edhe gjatë qeverisë së kaluar.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se do ta mbështesin qeverinë reformatore të Zaevit me tre deputetë, por nuk kanë vendosur ende rreth pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në qeveri.
Nga Lëvizja Besa thonë për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje të ridefenimit edhe të disa kushteve.
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se është “momenti historik” që e imponon nevojën e veprimit të të gjitha partive politike shqiptare si bllok në kuadër të qeverisë së re të Maqedonisë.
“Unë mendoj se të gjitha partitë politike shqiptare tani duhet të veprojnë si bllok, të kenë një program të përbashkët dhe bashkërisht të përcaktojnë dinamikën e realizimit të kërkesave që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve të Maqedonisë”.
“Mendoj se partitë politike shqiptare duhet të bëhen si një bllok dhe të përkrahin qeverinë e Zaevit, i cili është zotuar se do të angazhohet për sundimin e drejtësisë dhe departizimin e sistemit gjyqësor, sepse pikërisht drejtësia është ajo që u ka munguar shqiptarëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë shqiptarë.
Ngjashëm shprehet edhe Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike. Ai konsideron se partitë politike, në këtë moment, duhet të jenë më të përqendruara në kthimin e normalitetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Formimi i qeverisë së re të Maqedonisë paraqet një hap të rëndësishëm drejt kapërcimit të krizës politike. Çdo kushtëzim le të themi për këtë qeveri gjatë formimit, paraqet dhe kushtëzim për tejkalimin e krizës”.

Exit mobile version