Shqiptarët kanë qenë protagonistët kryesorë të kësaj jave në kampionatin zviceran të futbollit dhe këtë e tregon më së miri fakti se tre prej tyre janë rreshtuar në formacionin ideal të ndeshjeve të fundit. Nuk mund të mungonte Armando Sadiku, i cili e ka bërë rrugë tashmë praninë në formacionin më të mirë, meqë shënon me një rregullsi të admirueshme (6 gola në 8 ndeshje). “Partneri ideal i Alioskit në sulm. Jo plotësisht në formën më të mirë fizike dhe gjithsesi vendimtar, me asistin te goli i dytë i Alioskit dhe golin e shkëlqyer të 4-2”, shpjegon e përditshmja “Blick”.
Sigurisht që aty ishte edhe shqiptari që luan për Maqedoninë, Alioski, me tre golat e tij dhe asistin për golin e Sadikut. Një sinjal i qartë se po kthehet edhe ai në formën më të mirë, pasi kishte shënuar vetëm 1 herë në 11 ndeshjet e mëparshme në kampionat.
Emri i tretë është ai i Benjamin Kolollit, i cili po shkëlqen me fanellën e Lozanës. Mbrojtësi i Kosovës cilësohet si një nga futbollistët më me perspektivë në kampionatin zviceran të futbollit dhe tregoi talentin e tij me një supergol në fundjavë. Ndërkaq, kishte një shqiptar edhe mes zhgënjimeve të javës. Bëhet fjalë për sulmuesin e Vaduzit, Albion Avdiaj, i cili pas disa paraqitjeve shumë pozitive, zhgënjeu në humbjen ndaj Lucernës, duke shpërdoruar një mundësi të pastër para portës.