Shqiptarët nuk kanë më besim te qeveria, i drejtohen ambasadave

Banorët e Shkozës në Tiranë, shtëpitë e të cilëve do të shemben pa u dëmshpërblyer, kanë marshuar drejt ambasadës së SHBA dhe asaj të Delegacionit të BE-së për zgjidhjen e problemit të tyre. Banorët nuk kanë më besim tek qeveria pasi po u shemb banesat për rehabilitimin e Lanës pa u dhënë asnjë lek si dëmshpërblim për shtëpitë e ndërtuara me mund e djersë. Me pankarta në duar, qindra banorë kanë marshuar drejt ambasadës së SHBA dhe të BE duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, pasi i kanë humbur shpresat tek institucionet e shtetit shqiptar.
Banorët u shprehën se nuk janë kundër rehabilitimit të Lanës, por kërkojnë njohjen e pronësisë dhe garantimin e dëmshpërblimeve. Ata i janë drejtuar me një letër ambasadorëve duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për zgjidhjen e këtij problemi. Në letrën dërguar ambasadorëve, banorët thonë se nuk janë informuar zyrtarisht mbi këtë situatë, por informacionin e kanë siguruar privatisht. “U bënë rreth 9 muaj që ka filluar projekti për rehabilitimin e lumit Lana që kalon pranë banesave tona. Nga zbatimi i projektit preken 153 banesa, duke pasur parasysh se në to banojnë mbi 300 familje, të cilat vetëm para disa ditësh, janë informuar për skualifikimin nga procesi i legalizimit edhe pse kanë aplikuar që nga viti 2006, bazuar mbi ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, duke shtuar këtu se një pjesë e mirë e banorëve janë të pajisur me leje ndërtimi nga institucionet shtetërore që në vitet 1960-1991 dhe kurrë nuk kanë mundur të marrin çertifikatën e pronësisë.
Edhe pse të panjoftuar zyrtarisht, banorët në mënyrë private kanë mësuar lajmin për prishjen e banesave të tyre të ndërtuara prej vitesh, për këtë arsye është marrë kontakti me autoritetet lokale dhe shtetërore (deputeti i zonës, kryetari i Bashkisë etj.) nga të cilët na është premtuar se do të ketë një zgjidhje në të mirë të komunitetit. Çfarë ne ende nuk kuptojmë, është privimi i të drejtës tonë për të legalizuar banesat edhe pse kanë kaluar afro 11 vite, ndërkohë që kryeministri nuk ka lënë asnjë cep të Shqipërisë pa shpërndarë leje legalizimi. Në hartimin e projektit, me të cilin jemi njohur vetëm pak ditë më parë, mendojmë se me dashje është bërë devijimi i rrjedhës normale të lumit, pasi në dijeninë tonë, në krahun e kundërt të lumit Lana do të ndërtohen pallate gjigante nga njerëz me emër dhe poste të rëndësishme.
Në kontaktet me autoritetet e shtetit, na është premtuar se do të ketë një VKM të posaçme për shpronësimin e banesave që preken nga ky projekt. Por, përkundër të gjitha premtimeve dhe pa asnjë njoftim zyrtar nga ana e shtetit për lirimin e banesave, në datën 14 shtator një lukuni njerëzish me uniforma dhe civilë kanë terrorizuar gra, fëmijë dhe të moshuar. Banorëve u është kërkuar që brenda 2 orëve të largoheshin nga shtëpitë e tyre të ndërtuara me mund dhe sakrifica, në të kundërt do të gjobiteshin për shkelje ligji. Të ndodhur para kësaj situate çnjerëzore, banorët u detyruan të reagonin me një protestë paqësore duke bllokuar rrugën.
Në orët e pritjes së një reagimi nga institucionet shtetërore, jemi përballur me kërcënimet e vazhdueshme nga ana e Policisë së Shtetit për të mbyllur protestën. Vetëm pak më vonë kjo protestë degradoi në dhunë fizike dhe psikologjike ndaj grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Theksojmë se nxitësi i përshkallëzimit të kësaj situate ishte vetë Policia e Shtetit, e cila nuk kurseu grushtet dhe shkelmat për të gjithë banorët, duke arritur deri në shoqërimin e minorenëve në Komisariatin nr. 1. Çfarë kërkojmë ne është shumë e thjeshtë, të trajtohemi si qytetarë normalë të një vendi që pretendon të futet në BE.
Ajo çfarë na është ofruar në mënyrë joformale deri më tani, kredi e butë dhe banesa me qira, nuk përmbush aspak kërkesat dhe nevojat tona, detyrimin që ka shteti ndaj dhe nuk i përafrohet sadopak premtimeve të bëra. Ne si banorë nuk jemi kundër zhvillimit urban të zonës, por as nuk pranojmë të hidhet poshtë gjithë djersa dhe mundi ynë prej vitesh të tëra. Pasi kemi trokitur në të gjitha dyert e institucioneve shtetërore dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje, mendojmë se mundësia e vetme për ne është ndërhyrja nga ana juaj. Ndaj, lutemi të përdorni çdo ndikim të mundshëm ndaj autoriteteve shqiptare, në mënyrë që ato të reflektojnë pozitivisht dhe të na japin zgjidhjen e duhur”, thuhet në letër.
Në rast se institucionet shtetërore nuk gjejnë zgjidhje, ata paralajmërojnë vijimin e protestave. Prej 3 ditësh banorët e Shkozës protestojnë kundër prishjes së banesave të tyre për shkak të zgjerimit të rrugës, në kuadër të një projekti të ARRSH-së dhe Ministrisë së Transporteve. Janë 153 familje që preken nga ky projekt.

Artikulli paraprakRaporti i OKB: Prodhimi i lartë uli çmimin e drogës në Shqipëri
Artikulli tjetërDroga, litari i varur në qafën e Ramës