“Shqiptarët s’duan lojëra politike, por zgjidhje të vërteta”, Pampuri: Basha është sulmuar dhe baltosur prej vitesh, por ai është në garë me një alternativë të qartë për ndryshimin

Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Orjola Pampuri, në emisionin Weekend në Euronews Albania, theksoi se shqiptarët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo “pazare” mes partive, duke iu referuar marreveshjeve të vazhdueshme mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ajo tha se të dyja palët po përdorin situatën për interesa personale.

Pampuri më tej tha se Demokratët Euroatlantikë kanë qëndruar gjithmonë në krah të SHBA-ve, që në 9 shtator 2021, duke mbrojtur interesat kombëtare. Ajo shtoi se janë ndër të parët që kanë shpalosur programin e tyre, të cilin e konsideron tërësisht të orientuar ndaj të mirës së shoqërisë dhe një grup kandidatësh me shumë integritet.

Pampuri theksoi gjithashtu se Koalicioni Euroatlantik është e vetmja alternativë që ka ndjekur vijimësisht kursin pro-amerikan dhe që ka një program konkret për qytetarët. “Ne e bëmë betejën tonë për të qëndruar krah SHBA-ve dhe qëndrojmë aty ku ishim më 9 shtator 2021. Kemi një program të qartë, kemi kandidatë me integritet dhe jemi gati të dalim në terren për t’u ofruar shqiptarëve një zgjidhje të vërtetë.” – shtoi ajo.

Duke komentuar sulmet e vazhdueshme ndaj Lulzim Bashës, Pampuri tha se përpjekja për ta asgjësuar politikisht ka qenë një mision i organizuar, por që ka dështuar. “Basha është sulmuar dhe baltosur prej vitesh, por ai është sot në garë me një alternativë të qartë për ndryshimin. Shqiptarët kanë mundësinë të ndajnë më në fund të mirën nga e keqja, dhe të zgjedhin të ardhmen që meritojnë.” – përfundoi ajo.

 

Pjesë nga intervista e Pampurit:

“Shqiptarët nuk duan të shohin më ndeshje futbolli, kush do të dalë i pari apo i dyti. Shqiptarët duan zgjidhje. Dhe shqiptarët nuk duan pazare që ti qëndroi i pari, unë po qëndroj i dyti, që të mbajmë status quo-në për interesat e mia personale. Shqiptarët nuk i dinë disa gjëra dhe të tjerët sigurisht që i dinë, sepse letrat tani janë hapur dhe i kanë marrë vesh të vërtetat. E kanë marrë vesh që e gjithë kjo situatë po përdoret për interesa personal të të dyja palëve dhe të Edi Ramës dhe të Sali Berishës. Dhe të dy po e shfrytëzojnë në mënyrë më të mirë të mundshme. Sali Berisha dje thoshte ishte kundër, Amerika, Amerika, sot lufton që të mbështetet nga Amerika.

Dhe pikërisht ne për këtë kauzën me SHBA-të e bëmë gjithë betejën, për të qëndruar në linjën e tyre, në krah të tyre. Dhe siç kemi qëndruar në 9 shtator 2021-it, po aty jemi prap sot. Kemi një program, jemi ndër të parët që kemi shpalosur programin tonë, i cili prek të gjitha shtresat e shoqërisë. Kemi një grup kandidatësh me shumë integritet, i cili do të ketë edhe kandidatët e tjerë që do të shpallen në ditët në vijim. Dhe kaq mjafton për të dalë në terren. Sa i përket zotit Basha, e them prapë, është baltosur katër vite, është baltosur për 8 vite, a ku di unë dhe më përpara ndoshta ka qenë grupe të heshtura të cilët hidhnin nga pak baltë për të dalë sot hapur me baltosjen ndaj tij. Por kam përshtypjen që asgjësimi politik i zotit Basha ka qenë mision dhe deri në sekondat e fundit kur u larguan të fundit. Por unë kam përshtypjen që nuk arritën ta asgjësojë askush, do të jemi alterantaivë në zgjedhje dhe jam e bindur që shqiptarët do të dinë të bëjnë më në fund zgjedhje dhe të ndajnë të mirën nga e keqja” – tha Pampuri.

Exit mobile version