Shqiptarët të fundit në Europë mbi të ardhurat për frymë, të parët për shpenzimet e ushqimeve

Shqipëria është vendi me të ardhurat më të uëlta në Europë, sikurse shumë produkte kryesisht ushqimet i blejnë më shtrenjtë se në vendet me të ardhura të larta.

Shqiptarët sipas të dhënave zyrtare shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave mujore për t’u ushqyer, dhe mbi këtë tregues kryesojmë në Europë.

Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat tregojnë se të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri janë sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke bërë që vendi ynë të renditet i fundit.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se mesatarja e europiane e shpenzimeve për ushqime është 6.3% e prodhimit të brendshëm bruto, kurse në Shqipëri shkon në 31%, duke e renditur vendin tonë të parin në Europë. Duke qenë se çmimet e ushqimeve kanë pësuar rritjen më të lartë gjatë vitit të fundit duke dhënë ndikimin kryesor në inflacion, kjo tregon se shqiptarët janë varfëruar shumë më tepër se sa qytetarët europianë pavarësisht rritjes së rrogave të disa kategorive në administratë. Pagat u rritën kryesisht për ata të cilët ndoshta e kishin edhe më të panevojshme për të përballuar krizën si ministra, deputetë etj, përkundër rregullit të produktivitetit, kurse ndikimin nga inflacioni dhe rritja e çmimeve po e vuajnë kryesisht shtresat e verfra.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat mbi indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian për produktet kryesore të shportës për vendet e BE-së dhe Ballkanit perëndimor kanë nxjerrë në pah disa nga produktet që shqiptarët i blejnë më shtrenjtë.

Pas Shqipërisë në vend të dytë është Mali i Zi, i ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Për bukë e drithëra, në Shqipëri shpenzohet 4.3% e PBB-së, nga 1.1% që është mesatarja europiane.

Edhe një vend bujqësor, Shqipëria, qumështin dhe djathin nuk i ka më aq të lira. Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane.

Për qumësht, djathë dhe vezë, shpenzimet janë sërish rekord në 5.1% të PBB-së, nga vetëm 1% që është mesatarja e BE-së. Shpenzimet rekord janë dhe për vajra e yndyra, në 1.5% të PB-së, nga 0.2% që është mesatarja europiane.

Për fruta e perime shpenzohet 11.8% e PBB-së, sërish më e larta në Europë, nga 1.4% që është mesatarja europiane

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 83.7% e mesatares së Bashkimit Europian, e treta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë dhe malit të Zi. Më të lirat në rajon janë çmimet në Maqedoninë e Veriut, me 68.2% e mesatares së BE-së.

Pajisjet elektroshtëpiake janë gjithashtu të shtrenjta, teksa kushtojnë 22% më shumë sesa mesatarja europiane. Më të lirat në Europë, pajisjet elektroshtëpiake i gjen në Poloni dhe më të shtrenjtat në Islandë.

Për të blerë një palë këpucë, që në Europë kushtojnë mesatarisht 100 euro, në Shqipëri duhen 105.5 euro. Këpucët më të shtrenjta janë në Zvicër dhe më të lirat në Turqi.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën, me 41% të mesatares europiane.

Artikulli paraprakLetër nga një qytetar i Rrugës së Salës!
Artikulli tjetërReflektimi magjepsës i ballafaqjeve shkëlqimtare të Natasha Lakos në librin “Njeriu si një tjetër”