Shqiptari dhe një politikan italian kapen me kokainë në Itali

Policia e Trentos në Itali bën me dije se ka arrestuar sot Maurizio Agositinin, 51 vjeç, këshilltar bashkiak i Partisë Lidhja e Veriut, në Komunën Mattarello në provincën e Trentos dhe një mikun e tij shqiptar, Stefan Dushku, 38 vjeç, gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonin. Shkak për arrestimin siç bën me dije Ilfattoquotidiano.it, por edhe media të tjera lokale, është se në makinën me të cilën ata po udhëtonin e tipit Hyundai Atos, janë gjetur 300 gramë kokainë e pastër, në 3 pako dhe me një vlerë në treg prej 60-70 mijë euro, raportojnë sot mediat lokale. Arrestimi i tyre u bë, pas një kontrolli të Policisë Rrugore në autostradën A22 Trento Jug.
Droga ishte e mbështjellë me qese të lyera me parfum për të evituar nuhatjen e qenve të policisë. Të arrestuarit i kishin fshehur dozat e kokainës në kroskotin e makinës së tyre Hyundai Atos. Megjithatë, karabinierët e patën të lehtë të gjejnë drogën e fshehur.
Shqiptari Stefan Dushku ishte i pastrehë dhe sipas mediave fqinje kishte shkuar në Itali për të kërkuar punë. Menjëherë pas lajmit të arrestimit të këshilltarit të Lidhjes së Veriut, sekretari i kësaj force politike për rajonin e Trentos, Maurizio Fugatti me një deklaratë zyrtare, tha se Maurizio Agostini, përjashtohet nga radhët e partisë Lidhja e Veriut.
“Kush përfshihet në akte të tilla nuk ka lidhje me frymën e principet e Lidhjes së Veriut, e cila çdo ditë me aksione politike lufton kundër krimit, konsumit të drogës e trafikimit të saj”, përfundon kjo deklaratë.

Artikulli paraprakDështon për herë të katërt seanca ndaj Shullazit dhe anëtarëve të bandës
Artikulli tjetërMziu: Ja shpifjet e radhës të mashtruesit Erion Veliaj