Kombëtarja shqiptare ndër vite nuk ka pasur asnjë futbollist i cili ka luajtur për Arsenalin. Maldin Kaçurri, me debutimin e tij, bëhet lojtari i parë që ka veshur fanellën e “Topçinjve”.
Më herët, tek Arsenali ka lënë gjurmë edhe Granit Xhaka me Shkodran Mustafin, dy shqiptarë me origjinë, por që kanë përfaqësuar Zvicrën në rastin e mesfushorit dhe Gjermaninë në rastin e mbrojtësit. Ndërkohë, Kaçurri, bëhet shqiptari i parë i Kombëtares kuqezi i cili zbret në fushë për Arsenalin.
Ndërkohë, paradoksi me Maldin Kaçurrin është që prej një viti ai nuk grumbullohet nga Kombëtarja U-21 apo U-19. Fillimisht rrugëtimi i Kaçurrit nisi me Shqipërinë U-17, ku në maj të 2021-it ai u thirr për dy ndeshje miqësore, ku trajneri Ervin Bulku në atë kohë, e aktivizoi si zëvendësues, 33 minuta në ndeshjen e parë dhe 10 minuta në të dytën.
Pas dy vitesh mungesë, Maldini rikthehet sërish në Kombëtaren U-19, ku nga qershori deri në tetor, luajti 5 ndeshje, dy nga të cilat titullar dhe tri të tjerat në pjesën e dytë. Ky ishte rrugëtimi i mbrojtësit, i cili aktivizimin e fundit e ka më 17 tetor të vitit të kaluar.
Duke parë rritjen e tij tek akademia e Arsenalit dhe atë që ka arritur këto javë, duket e pakuptueshme se pse Kaçurri nuk është thirrur prej një viti në ekipet kombëtare, qoftë ai U-21 dhe ai U-19.