Shqiptari i vrasjes në Qipro eliminoi shokun për t’i mbyllur gojën

Dalin në dritë të tjera detaje për identitetin e dy shqiptarëve, që dyshohet se janë autorë të atentatit me 4 të vrarë në Qipro, mbrëmjen e së enjtes. Në kërkim nga Policia e Qipros është Aleks Burreli, i cili arriti të largohej në kohë nga vendngjarja, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Jani Vogli, mbeti i vdekur.
Për dy shqiptarët, që dyshohet të jenë vrasës me pagesë, është marrë informacioni se kanë dalë nga Shqipëria më 7 maj të këtij viti dhe pas ndalesës në Stamboll, kanë udhëtuar drejt Qipros më 8 maj, ku janë takuar me porositësit e atentatit.
Nga të dhënat që u janë përcjellë homologëve qipriotë, dy shqiptarët nuk rezultojnë të jenë skeduar nga policia shqiptare për vepra penale. 48-vjeçari Aleks Burreli shihet si personi kyç, që mund të japë të dhëna të vlefshme për hetimin e atentatit, ku mbeti i vrarë biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, dy miqtë e tij dhe shqiptari Jani Vogli.
Burreli mbeti i plagosur dhe frika është se ai mund të eliminohet për t’i mbyllur gojën. Nga ana tjetër, policia qipriote ka dyshime se 41-vjeçari Jani Vogli, mund të jetë vrarë nga bashkatdhetari i tij, Burreli. Kjo, pasi ekspertiza dëshmoi se dy policët që shoqëronin biznesmenin e vrarë, nuk i kanë përdorur armët e tyre.
Policia ende nuk ka saktësuar numrin e personave, që me fytyra të maskuara, mësynë të enjten në mbrëmje një restorant, në Agia Napa të Republikës së Qipros. Ata hapën zjarr drejt tavolinës ku po darkonte biznesmeni vendas Fanos Kalopsidiotis i moshës 51 vjeç. Biznesmeni dhe një çift që ishte me të mbetën të vrarë, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.
Autoritetet qipriote dyshojnë se ka qenë edhe një person i tretë që ka ndihmuar Aleks Burrelin të arratisej, pasi ai është parë nga dëshmitarët të largohej i plagosur nga vendngjarja. Policia e Qipros dyshon se ky atentat është vazhdim i disa akteve të tilla kriminale të ndodhura edhe disa vite më parë, që ka lidhje me një vrasje të pesëfishtë në vitin 2012.

Exit mobile version