Policia holandeze ka arrestuar një shqiptar dhe një lituanez pasi u kapën me një sasi të madhe kokaine. Siç raportojnë mediat lokale, shqiptari 25-vjeçar dhe lituanezi 28 vjeç, u kapën në North Brabant, zonë jugore e Holandës. Kokaina u gjet në makinën e lituanezit, i cili po udhëtonte së bashku me të riun shqiptar. Në automjet, policia gjeti 12 kilogramë kokainë. Mbi ta është ngritur akuza e trafikut të lëndëve narkotike dhe pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe akuzohen për trafik droge. Shqiptari dhe bashkëpunëtori i tij u kapën në North Brabant, në jug të Holandës. Mediat holandeze nuk kanë bërë të ditur identitetin e 25-vjeçarit shqiptar që u kap me 12 kg kokainë.
Kapet me 23 kg heroinë një shqiptar në Greqi
Policia greke kapi dje një sasi prej 23 kilogramësh heroinë në Athinë me vlerë 350 mijë euro, ndërsa në pranga ranë 5 persona. Tre prej tyre ishin shqiptarë, të cilët drejtonin këtë rrjet droge. Mediat greke kanë zbardhur të tjera detaje rreth të arrestuarve. Shtypi grek shkruan se njëri prej shqiptarëve të arrestuar ka pseudonimin “Maradona”. Ai është 27 vjeç kurse identiteti nuk i është bërë publik.
Dy shqiptarët e tjerë të arrestuar janë 45 vjeç dhe një grua 39-vjeçare. Në pranga ranë edhe dy grekë bashkëpunëtorë të tyre, 19 vjeç dhe 41 vjeç. Sipas hetimeve të policisë, heriona shpërndahej në qytetet e Selanikut, Patras dhe Larisës.
Heroina paketohej dhe mbi të kishte mbishkrime që korrenspondonte me destinacionet ku do të trafikohej, konkretisht me qytetet e sipërpërmendura. Gjatë operacionit antidrogë, policia e Athinës bllokoi të gjithë zonën ku shqiptarët mbanin të fshehur heroinën. Droga u gjet në laboratorin e grupit kriminal. Përveç heroinës, autoritetet sekuestruan edhe 16 kg përzierës, 38 gramë marijuanë dhe 525 euro.