Mbi 17 kg drogë dhe një arsenal armësh janë sekuestruar në banesën e një 20-vjeçari shqiptar në Komunën Barlassina në provincën e Milanos në Itali. 20-vjeçari shqiptar punonte si barist në një nga lokalet më të modës në provincën e Milano/Brianza, por në të vërtetë ishte një trafikant droge e armësh. Operacioni i policisë italiane ka sekuestruar në garazhin e shtëpisë së 20-vjeçarit shqiptar 12 kg kokainë e 5 kg e 50 gramë heroinë.
Gjithashtu në banesën e shqiptarit, forcat italiane të rendit kanë gjetur dy mitralozë, një pistoletë gjysëm automatike, një revolver dhe municion për të gjitha armët. Së bashku me 20-vjeçarin, Policia italiane ka arrestuar dhe dy bashkëpunëtorë të tij po shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës dhe armëve. 5 kg kokainë nga sasia e drogës së sekuestruar u gjet në bordin e një automjeti luksoz sportiv, drejtuar nga njëri prej bashkëpunëtorëve të trafikantit shqiptar. Gjatë ditës pritet që Policia e Milanos të zbardhë më shumë detaje mbi këtë operacion.
Po ashtu, dy shqiptarë të moshës 34 dhe 38 vjeç, u arrestuan nga karabinierët e Villalvernia në Itali për trafikim të lëndëve narkotike. Oltion Mani dhe Vladimir Prroj, u ndaluan mbrëmjen e djeshme kur policia rrethoi zonën industriale të Tortonës, raportojnë mediat lokale.
Pasi ndaluan mjetin me të cilin lëviznin dy shqiptarët, karabinierët vërejtën një pako e hedhur tek një bimë pranë makinës. Aty u gjendën 900 gram kokainë e ngrirë. Kërkimi nga efektivët edhe në dy shtëpitë e shqiptarëve çoi në zbulimin e një vendi të posaçëm për përgatitjen dhe paketimin e dozave të drogës. Shitja me pakicë e substancës së konfiskuar do të gjeneronte mbi 250 mijë euro, sipas medieve lokale.