Agim XHAFKA
Dyshoj që në Shqipëri ka pasur forca partizane të mirëorganizuara dhe është bërë Luftë e ashpër Nacional-Çlirimtare. Thjesht u çliruam nga lufta e Amerikës dhe e Rusisë. Pra ishim rrjedhojë.
Kam disa arsye e fakte,por po sjell më kryesoren. Populli ynë nuk lëviz qimen për lirinë. Në se do kishim shporrur me pushkë fashizmin e do derdhnim gjak për lirinë,atëhere në shpirtin e brezave do ishte gdhendur revolta ndaj çdo shtypje e çdo poshtërimi.
Por ndodhi e kundërta. Heshtëm për 50 vjet kur njeriut iu hoq çdo e drejtë. Nuk lëshuam një zanore kur internohej për bindje fqinji ynë me pleq e fëmijë. Shihnim si hiqeshin zvarrë në qytete ata që mendonin ndryshe e nuk lëvizëm as gishtin.
U ushqyem me tallon e jetuam në uri e heshtje….Reagim i një populli luftëtar është ky? Vazhdojmë sot kur qeverisemi nga fëmijët e nipat e pushtetit të diktatorit.
Na rrejnë dhe ne duartrokasim, u japin drogë fëmijëve dhe ne qeshim,na rrahin e ne trembemi,rrëmbejnë copa të atdheut e ne nuk ulërijmë,por marrim arratinë si popull.
Ja pse provohet se lufta jonë partizane ka qënë sajesë komuniste, një ëndërr e frikacakëve. Se popujt antifashistë gjakun e kanë me leukocite lirie, me shkëndija proteste e zjarr përvëlues ndaj çdo shtypje e mashtrimi.
Ja, në këmbë Kili se qeveria e gënjen, e gjithë Franca bëhet trup për të drejtat e njeriut. Shqiptari tundet nëpër mote. Fle dhe pandeh se ka pasur trima e partizanë kjo tokë e begatë me njerëz apatikë,dembela e frikacakë.
Nanuriset në gënjeshtra e në kotësi…Siç u provua Lufta është bërë nga Kinostudioja komuniste. Me skenar nga historianët e leshit. Na i dhanë si hashash cilësor. Akoma s’po na del gjumi. Gërhasim e gërhasim…