Shtajnamajer-Ramës: Reforma në Drejtësi me opozitën

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier i bëri të qartë Ramës dje në konferencën e përbashkët për shtyp se Reforma në Drejtësi duhet të miratohet detyrimisht me konsensusin e opozitës.
Shefi i diplomacisë gjermane ka theksuar se për Reformën në Drejtësi, e cila siç citoi ai është produkt i konsulencës së Komisionit të Venecias ka nevojë për mbështetjen e opozitës.
“Jemi tanimë në fazën e një dritareje të hapur të mundësive të dhëna dhe shpresoj shumë që forcat politike në vend të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët që të mbërrijnë në përmbushjen e pritshmërive të Komisionit Europian përsa i përket përmbylljes së reformës në sistemin e drejtësisë.
Mendoj që jemi në një pikë ku Shqipëria nuk kishte qenë kurrë më parë, pra, ka bërë një pjesë të madhe të rrugës së saj, jemi përpara një produkti, i cili nuk vjen si produkt vetëm shqiptar, por vjen si një produkt në konsulencë me Komisionin e Venecias, sikurse dhe me ekspertë të  mirënjohur ndërkombëtarë.
Unë shpresoj që forcat politike të mund të gjejnë kurajën për të marrë vendimet e duhura në këtë kontekst dhe shpresoj që në kuadër pikërisht të përmbushjes së kësaj reforme do të nevojitet edhe mbështetja konkrete e opozitës. Është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në interes të një të ardhmeje sa më transparente që kjo reformë të përmbyllet pikërisht në funksion të luftës kundër korrupsionit”, tha Steineier.
Ai bëri të ditur se Gjermania ndjek nga afër situatën në Shqipëri.
“Me shumë kënaqësi do të kishim dashur të vijonim bisedat tona për sportin dhe për ndeshjet e Kampionatit Europian të futbollit, por ajo ç’na ka shtyrë realisht të vijmë këtu, sigurisht kanë qenë gjëra më të rëndësishme sesa kaq. Nuk është sekret nëse them se, Shqipëria gjendet në një fazë mjaft vendimtare të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.
Do të doja të përsërisja edhe një herë, me shumë kënaqësi, atë çka thashë sot, gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm, Gjermania ka vërtet një respekt mjaft të madh përsa i përket rrugës së reformave që është ndërmarrë dhe që është mbërritur të realizohet deri më tani në Shqipëri. Ne ndjekim me interes mjaft të madh në veçanti reformat që janë zhvilluar në sektorin ekonomik, që patjetër do të sjellin pastaj në investime edhe më të suksesshme të investitorëve dhe sipërmarrjeve gjermane këtu në Shqipëri.
Steinmeier vuri theksin tek rëndësia që ka krijimi i një sistemi të besushëm drejtësie edhe për investitorët e huaj.
“Por sigurisht, më tepër interes do të kishim që Shqipëria të ndjekë dhe të gjejë rrugët e veta për krijimin e një shteti, e një sistemi sa më demokratik e sa më të qëndrueshëm. Pikë kyçe në këtë kontekst do të ishte lufta kundër korrupsionit, shoqëruar me reformën në sistemin e drejtësisë. Nuk është hera e parë, sigurisht që diskutohet për këtë tematikë kaq të rëndësishme, por tanimë ndodhemi në një fazë mjaft vendimtare. Në vjeshtën e këtij viti, Komisioni Europian do të shqyrtojë pritshmëritë e veta përkundrejt Shqipërisë, nëse ato janë plotësuar apo jo dhe këtu, reforma në sistemin e drejtësisë luan një rol deçiziv”.

Exit mobile version