Shtatë arsye përse Rama gaboi në Beograd

Arbana XHARRA

Në takime të nivelit të lartë, ai zakonisht provon të ekspozohet me metafora e batuta. Bën gjeste për të rënë në sy, si “një lider që premton”, sikur provon ta bindte Merkelin se ky është ai që Evropa po e kërkon. Një politikan modern që pajton. Një diskrepancë kjo e ambicieve të Ramës dhe e realitetit të të bërit politikë me BE-në.
Edi Rama politikën e jashtme e bën për shou personal, për t’u treguar liberal, njëlloj paranteze për t’u dalluar nga liderët nacionalistë ballkanikë. Ai nuk po arrin të lirohet nga ndjesia e inferioritetit, ndaj haptazi po e manifeston kompleksin karshi liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në takime të nivelit të lartë, ai zakonisht provon të ekspozohet me metafora e batuta. Bën gjeste për të rënë në sy, si “një lider që premton”, sikur provon ta bindte Merkelin se ky është ai që Evropa po e kërkon. Një politikan modern që pajton. Një diskrepancë kjo e ambicieve të Ramës dhe realitetit të të bërit politikë me BE-në. Me të njëjtin ritëm vazhdoi me vizitën në Beograd. Para gazetarëve serbë përmendi dronin, si me humor përqeshi aktet “patriotike” në ndeshjen Shqipëri-Serbi dy vjet më parë. Sërish një përpjekje dëshpëruese për t’u dukur pa komplekse në kryeqendrën e Serbisë. Në fakt, paraqitja e tij shpërfaq dy probleme esenciale të Ramës: – inferioritetin e pashëruar karshi serbëve, duke menduar se serbët janë qendra e Evropë; injorancën ndaj relacioneve armiqësore shekullore Kosovë–Serbi. Duket se pos për luftën e fundit, Rama s’ka haber për zhvillimet në Kosovë. E më e keqja, po shpresoj nga mosdija, Rama unifikohet në diskurs me Vuçiqin në raport me Kosovën.
Në këtë kontekst, janë së paku shtatë arsye për të cilat Rama kësaj here ka gabuar:
1. Serbia çdoherë e ka trajtuar Kosovën jo si çështje të Kosovës, por si çështje të brendshme të shtetit serb me pakicën shqiptare në provincën e Kosovës! Serbia ka synuar gjithnjë të mos flasë direkt me Kosovën ndërkombëtarisht, por me të tjerët për Kosovën! Platforma e qeverisë serbe flet për dialog në mes shtetit serb me shqiptarët! Çdo takim mes Ramës dhe Vuçiqit ku Rama flet edhe për “Trepçën” në mes të Beogradit është konfirmim i kësaj.
2. Serbia çdoherë ka promovuar idenë e negociatave me Shqipërinë që në vitet 1990 me pretendimin se nuk ka një çështje të Kosovës dhe Kosovë! Këtu edhe plani i ndarjes territoriale nuk është përjashtuar në mes të dy shteteve.
3. Ideja e pajtimit në mes të Shqipërisë dhe Serbisë është mohim dhe injorim i krimeve dhe i gjenocidit në Kosovë, ngase Shqipëria zyrtarisht nuk ka qenë në konflikt më Serbinë! Ndaj, rrjedhimisht çfarë kuptimi ka pajtimi në mes të të dyja vendeve?
4. Kosova nuk është shtet/anëtare e OKB-së dhe ka njohje të pjesërishme ndërkombëtare! Sa herë Rama që flet në emër të Kosovës këtë gjë e konfirmon se ne nuk jemi shtet i plotë! Kundërshtarët e Kosovës thonë se është pjesë e Serbisë, teksa etno-nacionalistët pretendojnë se, Kosova nuk mund të ekzistojë si entitet i pavarur, ndaj i vetmi opsion mbetet bashkimi me Shqipërinë! Sa herë Rama flet në emër të Kosovës e krijon perceptimin se kjo do të ndodhë!
5. Disa shtete Kosovën e shohin si konflikt të ngrirë në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, si vend pa status ndërkombëtar, të prezantuar të tillë edhe në takimet në mes të Ramës e Vuçiqit! Pra, një entitet që nuk është shtet, respektivisht jo i barabartë me të tjerët!
6. Rama sërish e ka bërë Serbinë qendër të Ballkanit, një veprim kundër interesave të shqiptarëve dhe çdokujt tjetër në rajon! Deklarimi i Ramës se Serbia është më evropiane se disa shtete anëtare të BE-së është pa takt dhe fantastike për të qenë e vërtetë.
7. Kosova dhe Shqipëria kanë një partneritet strategjik të nënshkruar dhe ky partneritet parasheh që të dyja vendet të koordinohen në politikën rajonale. Vizita e Ramës pa e informuar askënd rreth qëllimeve dhe pritjeve është kundër frymës së bashkëpunimit dhe partneritetit të nënshkruar! Serbia nuk dëshiron që në planin dypalësh dhe ndërshtetëror ta trajtojë Kosovën. Kësisoj, Rama me këtë veprim e mbështet më shumë agjendën e Serbisë!

Artikulli paraprakKë përfaqëson Edi Rama?
Artikulli tjetërFaqja e pare