Administrata Trump po lëviz me shpejtësi për të zbatuar politika të reja të brendshme dhe të jashtme dhe për të ndryshuar disa nga politikat e vjetra. Dje, gjatë konferencës së parë zyrtare për gazetarët, sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë paraqiti disa nga fushat në të cilat administrata e re po ndërmerr një qasje të ndryshme. Presidenti Donald Trump nuk humbi kohë për të paraqitur pozicionet e tij kyçe të politikës së jashtme, si tërheqja nga Marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit: “Ajo që duam është tregti e drejtë. Dhe ne do t’i trajtojmë vendet drejt, pra edhe ato duhet të na trajtojnë njësoj”.
Administrata sinjalizoi gjithashtu një ndryshim të mundshëm për të punuar me Rusinë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer e la të hapur mundësinë e veprimeve të përbashkëta ushtarake në Siri. “Nëse ka një mënyrë për të luftuar ISIS-in me çdo vend, nëse është Rusia apo dikush tjetër, dhe ne kemi interes të përbashkët kombëtar, sigurisht që do ta shfrytëzojmë mundësinë”.
Për luftën në Irak, zoti Trump tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin mbajtur naftën. “Nëse do ta kishim mbajtur naftën ndoshta nuk do të shihnim ISIS-in, pasi nga nafta i sigurojnë ata paratë. Duhet ta kishim mbajtur naftën. Por ndoshta do të kemi një shans tjetër”.
Zoti Spicer sqaroi: “Mendoj se presidenti kërkon të sigurojë që Amerika po merr diçka mbrapsht nga angazhimi dhe sakrifica që kemi bërë”. Zoti Spicer kundërshtoi njoftimet se kur zoti Trump vizitoi CIA-n të shtunën, zyrtarë të lartë të zbulimit shprehën mospajtim me pohimet e tij se ai nuk ka përplasje me komunitetin e zbulimit.
“Nuk mendoj se kjo është e saktë. Në fakt, mendoj se kur dëgjoni audion e takimit, mund të ndjeni entuziazmin në sallë”. Përsa u përket tensioneve që lidhen me territorin e kontestueshëm në Detin e Kinës Jugore, zoti Spice tha se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë mbrojtjen e interesave të tyre në ujërat ndërkombëtare. Ai nuk tha nëse administrata beson se këto ujëra përfshijnë zonat ku Kina ka pretendime.