Shtëpia e Bardhë nxori të hënën projekt-buxhetin për vitin fiskal 2020, një propozim ku administrata ka përfshirë kërkesën e presidentit për 8.6 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufirin jugor për të penguar futjen e imigrantëve.
((https://www.whitehouse.gov/wp-content/uploads/2019/03/budget-fy2020.pdf))
Kërkesa e presidentit për fondet për barrierën kufitare sinjalizon një betejë të re me ligjvënësit lidhur me këtë temë. Menjëherë ligjvënësit demokratë u zotuan të bllokojnë fondet për murin.
Projekt-buxheti i administratës parashikon një rritje 5% për fondet e Pentagonit. Buxheti ushtarak do të rritej nga 715 miliardë në $750 miliardë. Në propozim parashikohen shkurtime për programe që prekin një numër të madh amerikanësh, si të moshuarit dhe shtresat e varfra që marrin ndihma nga shteti.
Megjithë këto shkurtime, deficit buxhetor sipas përllogaritjeve, do të vazhdojë të rritet. Kjo ishte një ndër pikat ku e sulmuan propozimin demokratët. Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer e cilësoi projektbuxhetin të turpshëm dhe “një grusht ndaj klasës së mesme”.
Sipas zotit Schumer, propozimi i administratës do të thellojë hendekun mes shtresave më të pasura dhe amerikanëve më të varfër, pasi shkurton fonde për programe që mbështesin amerikanët në nevojë me strehim, në nevojë për ndihmë për të përballuar koston a rsimit, apo reduktime në projektet për përmirësimin e mjedisit.
Russ Vought, drejtori në detyrë i Zyrës së Shtëpisë së Bardhë për Menaxhimin dhe Buxhetin, tha se projekt-buxheti i presidentit “mishëron përgjegjësi fiskale”. Ai tha se Kongresi duhet të braktisë praktikën e shtimit të shpenzimeve për programe të brendshme sa herë shtohen shpenzimet për ushtrinë.
Sipas zyrtarit të administratës, RussVought, Shtëpia e Bardhë është e përqëndruar në “vënien nën kontroll të shpenzimeve të pamatura të Uashingtonit” për të dëshmuar se “mund të kthehemi në qëndrime të logjikshme fiskale”.
Në projekt-buxhet parashikohet një reduktim prej afro 25% i fondeve për Departamentin e Shtetit. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha të hënën se shkurtimet prej rreth 13 miliardë dollarësh në fondet e departamentit që ai drejton nuk do të dëmtojnë rolin e Amerikës në botë.
Buxheti i ardhshëm parashikon reduktim të programeve ndërkombëtare në masën 33%. Këto propozime janë të ngjashme me tendencën e dëshmuar nga administrata aktuale që në fillimet e saj. Sekretari i mëparshëm i Shtetit, Rex Tillerson i kërkoi Kongresit gjatë kohës kur drejoi departamentin një reduktim prej 30% të fondeve. Rezultantja ishte një rënie e moralit në këtë institucion. Në të kaluarën Kongresi i ka cilësuar propozime të tilla si të papeshuara.
Të martën, në një seancë dëgjimore, anëtarë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, i drejtuan pyetje zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë Russ Vought lidhur me propozimet në Buxhet. Si në komentet, ashtu edhe në reagimet e tyre, anëtarët e komisionit reflektonin qartë qëndrimet e partive që përfaqësojnë duke sinjalizuar një betejë në linja partiake për miratimin e këtij projekt-buxheti nga Kongresi.