Nga Erl Kodra
Askush nga ne nuk mund ta largojë nga pushteti një hajdut si ai, përveç SHBA-ve
Tashmë është fakt se Partia Demokratike nuk do të ekzistojë më, ashtu siç e kemi njohur. Mund të ndodhë që ajo të reformohet, por kurrë nuk do të jetë më një formacion politik që do të funksionojë ashtu siç ishim mësuar këto 32 vite të ekzistencës së saj. Dhe kjo është gjëja e duhur që duhet të ndodhte vite më parë, që t’u përgjigjet sfidave të zhvillimeve të vendit. Atë që nuk mundi ta bënte për 32 vite, Partia Demokratike nuk mund ta bëjë kurrë, ndaj ndryshimi i saj ishte një domosdoshmëri absolute. Struktura ekonomike, demografike, sociale dhe politike e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të thella, prandaj është miopi politike të vazhdohet me të njëjtin model dhe me të njëjtët politikanë të viteve 90. Përgjithësisht shqiptarët e kanë kuptuar këtë realitet, por akoma jo edhe Tritan Shehu dhe Edmond Spaho me shokë. Tek e fundit, tashmë ky është problemi i tyre dhe jo i shqiptarëve.
Por ajo që e bën shqetësuese gjendjen e vendit është se i njëjti proces akoma nuk ka filluar edhe në Partinë Socialiste. Për më tepër, fakti se Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama qëndrojnë në pushtet pa patur përballë një opozitë reale, sjell si domosdoshmëri ndryshimin e paradigmës politike – përndryshe – vendi rrezikon seriozisht të rrëshqasë përfundimisht në një butafori autokratike, ku për gjithçka vendos Edi Rama.
Kur Shtetet e Bashkuara projektuan Reformën në Drejtësi, sigurisht që kanë patur një plan për Shqipërinë. Ata imponuan një ndër reformat më radikale në botë, reformë e cila vetëm vitin e fundit ka filluar të japë rezultate. Por ka diçka që nuk shkon – jo në reformë – por në planin amerikan për Shqipërinë. Le të shohim në thellësi se ndikimin e reformës në klasën politike të vendit, dhe pse gjendemi para rrezikut që pasojat e saj të jenë shkatërruese vetëm për opozitën politike, dhe jo për pushtetin.
Thelbi i Reformës në Drejtësi ishte krijimi i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (të zyrëtarëve të lartë) – dy struktura të ngritura eskluzivisht për të luftuar korrupsionin e politikanëve. Rrjedhimisht, kjo “strukturë e posaçme” është kthyer në rruspën që po merr përpara të korruptuarit; të korruptuarit e qeverisë dhe të opozitës. Për fat të keq, deri tani nuk kemi parë ndonjë goditje vendimtare, të tilla sa të bëjnë politikisht të pamundur mbijetesën e të korruptuarve, në opozitë apo në qeveri qofshin. Më e keqja, rrethanat dhe mjedisi në të cilin po zbatohet Reforma në Drejtësi, si dhe ndryshimi i qasjes së politikës amerikane ndaj klasës tonë politike, po prodhon pasoja serioze për qytetarët shqiptar, së pari pasoja për opozitën shqiptare.
Opozita e një vendi është aseti më i vyer politik; është mjeti i vetëm që populli ka në dorë për të larguar një qeveri të korruptuar, mbi të gjitha, për të larguar një autokrat nga pushteti. Opozitën e një vendi nuk mund ta zëvëndësojë asnjë organ i drejtësisë – sado i fortë dhe i paanshëm qoftë – për më tepër opozita të zëvëndësohet nga një organizatë ligjzbatuese si SPAK. Prokurorët e SPAK nuk janë politikanë, gjyqatarët e Gjykatës së Posaçme nuk janë kryetarë partishë, ndaj ata nuk mund të prodhojnë politikë sociale, as politikë ekonomike, as të miratojnë ligje, as të qeverisin vendin. Prandaj plani amerikan për të goditur politikanët e korruptuar, por pa goditur qeverisjen e Edi Ramës dhe mazhorancën e Partisë Socialiste, në thelb do të ishte një dështim spektakolar, që do të çimentoste përfundimisht pushtetin e një ndër politikanët më të korruptuar në historinë politike të vendit.
Është e vërtetë se SPAK ka kohë që po godet mazhorancën e Edi Ramës, por gjithashtu është e vërtetë se përgjatë kësaj kohë, nuk ka asnjë shenjë se pushteti i tij është dobësuar. Sigurisht që kjo ka shkaqet e veta, ku më kryesori është fakti se që prej vitit 2021 opozita gjendet në një luftë të vazhdueshme civile, ku Sali Berisha ka rrëmbyer Partinë Demokratike për ta përdorur si mburojë në luftën e tij për të mbrojtur veten. Kështu, deri tani rezultati i reformave dhe politikës amerikane ndaj vendit tonë ka pasoja të tmerrshme për opozitën shqiptare, por jo edhe për qeverinë shqiptare, pavarësisht se SPAK ka goditur fort edhe element të pushtetit të Edi Ramës. Në këto rrethana, duket qartë se kjo nuk është e mjaftueshme, se Edi Rama nuk bie nga pushteti, as nuk jep dorëheqjen, as nuk rrëzohet pse Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, as pse arrestohet Vangjush Dako dhe Lefter Koka, as pse shpallet non-grata Tom Doshi; ai nuk bie nga pushteti edhe pse korrupton Charles McGonigal, edhe pse vjedh para direkt nga Buxheti i Shtetit, edhe pse për një tekë të vogël humbet në arbitrazhin ndërkombëtar mbi 130 milion euro; edhe pse e kthen vendin në një plantacion droge. Shkurt, Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti, sepse,
a) Opozita është një organizëm politik i kontrolluar nga Sali Berisha,
b) Vet Edi Ramës i intereson kjo gjendje, pra që në krye të PD të jetë një person nën hetim, me shumë çështje të hapura me drejtësinë, non-grata në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe,
c) të dy gjenden në një aleancë të heshtur, të interesuarit më të mëdhenjë që të ruhet status quo-ja aktuale,
Nëse gjendja aktuale nuk ndryshon, domethënë, nëse në zgjedhjet e vitit 2025 shkohet me Sali Berishën në krye të opozitës, dhe me Edi Ramën kryeministër, ato zgjedhje do të ishin vetëm një farsë e turpshme elektorale. Kjo do të ishte vërtet një goditje e rëndë për vet pluralizmin politik në vend.
Mund të duket e pamundur që Shtetet e Bashkuara nuk e dinë rezultatin e ri të politikës së tyre, nuk po i shohin rezultatet, ose nuk i kuptojnë pasojat që pati politika e tyre dhe Reforma në Drejtësi. Sigurisht që është e pabesueshme se Shtetet e Bashkuar kishin për qëllim vetëm shkatërrimin e Partisë Demokratike, sepse faktet tregojnë të kundërtën. Por me sa duket kaq është e pamjaftueshme që politikat dhe reformat që Shtetet e Bashkuara kanë impunuar në Shqipëri janë të pamjaftueshme.
Prandaj është kohë që Edi Rama të rrëzohet nga pushteti. Përndryshe, nëse shkohet me Edi Ramën kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025, mund të themi me plot gojën se politikat dhe reformat që imponuan Shtetet e Bashkuara dështuan.
Ne nuk jemi në gjendje të largojmë një hajdut dhe kriminel si Edi Rama nga pushteti. Askush nga opozita shqiptare nuk është në gjendje ta bëjë këtë. E vetmja forcë madhore që ka mjetet dhe fuqinë për ta bërë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koha është tani, maksimumi deri në pranëverën e vitit të ardhshëm.