Në një deklaratë me video të publikuar të martën, kryeministri izraelit Netanyahu tha se megjithëse ishte mirënjohës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin gjatë luftës në vazhdim me Hamasin, “është e paimagjinueshme që gjatë muajve të fundit, administrata nuk i ka dhënë armatime dhe municione Izraelit”.
Shtetet e Bashkuara thanë sidoqoftë se bëhet fjalë vetëm për një dërgesë, me predha 900 dhe 200 kilogramëshe, që u pezullua në muajin maj, për shkak të shqetësimeve se mund të përdoreshin në zonat me popullsi të dendur në Gazë.
Ndërkohë, një ekip prej 30 ekspertësh të Kombeve të Bashkuara paralajmëruan të enjten se prodhuesit e armëve dhe municioneve që vazhdojnë të dërgojnë armë në Izrael mund të jenë bashkëpunëtorë në abuzimet e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar.
Zoti Kirby u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara ia kanë komunikuar pakënaqësinë e tyre drejtpërdrejt Izraelit.
“Mendoj se ua kemi bërë shumë të qartë homologëve tanë izraelitë, nëpërmjet mjeteve të ndryshme, zhgënjimin tonë të thellë për deklaratat e shprehura në atë video dhe shqetësimet tona për saktësinë e deklaratave të bëra”, tha zoti Kirby.
“Ideja se patëm ndalur në një lloj mënyre së ndihmuari Izraelin për nevojat e tyre të mbrojtjes, nuk është absolutisht e saktë”, shtoi ai.
Komentet e Shtëpisë së Bardhë vijnë pasi këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritej të takoheshin me dy ndihmësit kryesorë të zotit Netanyahu për të diskutuar luftën që vazhdon në Gazë./VOA