Shtetet që do të përcaktojnë presidentin e ri

Përpara se të fillonin zgjedhjet presidenciale amerikane, sondazhet shihnin Hillary Clintonin në avantazh, por priten surpriza. Donald Trumpi ende mund t’ia dalë, por duhet që të fitojë “shtetet kyçe”.

North Carolina (15 zgjedhës të mëdhenj) – Një prej shteteve më të shkelur në këtë fushatë elektorale. Historikisht në favor të republikanëve, këtu demokratët kanë parë së fundmi një seri tendencash që mund ta përmbysin situatën në favor të tyre, si për shembull rritja e profesionistëve të bardhë në rripin urban mes Raleigh dhe Charlotte, si dhe një shtim të elektoratit afro-amerikan, që është rritur nga 18% në 23%, që ka qenë si pasojë edhe e fushatës së Obamës, i cili këtu fitoi më 2008, por humbi më 2012 përballë Mitt Romney-t.
Pikërisht në këtë basen luhet ndeshja vendimtare: Clintoni nuk ka arritur të shkaktojë shumë entuziasëm. Trumpi ka punuar shumë për të fituar zemrat në zonat rurale, sidomos në Lindje, aty ku pambuku dikur ka qenë një forcë shtytëse dhe sot vuan.

Florida (29 zgjedhës të mëdhenj) – Është sërish shteti që mund të bëjë dallimin, si ka ndodhur edhe në raste të tjera. Për Trumpin është thelbësore që ta fitojë. Demokratët kanë erën në favor, që pritet të vijë prej votës së imigrantëve portorikanë dhe “latinos”. Edhe të rinjtë kubanë-amerikanë janë reshtuar në krah të kandidates demokrate.

Pennsylvania (20 zgjedhës të mëdhenj) – Shtet me përfaqësim të lartë të klasave punëtore dhe të mesme të të bardhëve, që ka votuar për demokratët në zgjedhjet e fundit, por që Trumpi është përpjekur ta joshë. Clintoni është përqendruar pothuaj ekskluzivisht në zonat e Filadelfias në lindje dhe Pittsburgh në perëndim, dy kolona blu. Një sondazh i “Uashington Post” i jep 5 pikë avantazh Clintonit, por fushata e saj ka patur vështirësi, aq sa në ditët e fundit zëvendëspresidenti Joe Biden, i lindur pikërisht në Pennsylvania, ka kaluar një javë të tërë në mbështetje të saj.

Arizona (11 zgjedhës të mëdhenj) – Nga viti 1996, Shteti i Grand Canyon nuk voton për një kandidat demokrat, kur u zgjodh Bill Clintoni. Sondazhet e fundit shohin Donald Trumpit në avantazh të lehtë, por votimi i hershëm duket se ka favorizuar demokratët: të premten, ditën e fundit kur mund të votohej më herët, mijëra qytetarë ishin në radhë. Është domethënës edhe fakti që republikani Joe Arpaio, sherifi i kontesë së Maricopas, i famshëm për propozimet tronditëse dhe hetimet për çertifikatën e lindjes së Barack Obamës, rrezikon të mos zgjidhet pas 24 vitesh.

Nevada (6 zgjedhës të mëdhenj) – Në letër mund të jetë “varri” i Trumpit. Ia ka hapur Harry Reid, i cili ishte lider i pakicës demokrate në Senat mes viteve 2005 dhe 2007. Nevada ka votuar për kandidatin që ka fituar zgjedhjet në të gjitha garat, nga 1992 e deri sot: e megjithatë është e ndarë mes zgjedhësve republikanë dhe demokratë. Dhe në vitet e fundit ka ndryshuar përbërja demografike: pothuaj një e treta e shtetit janë hispanikë, me një rritje të popullsisë së aziatikëve. Reid ka arritur të sjellë në nivele rekord influencën e latinëve.

Colorado (9 zgjedhës të mëdhenj) – Një prej shteteve më të luhatshëm mes të lëkundurve: në vitin 2004 votoi për George Bushin, me një përqindje më të lartë se sa mesatarja kombëtare. Vetëm katër vjet më vonë, bëri të njëjtën gjë, por për Obamën. Dhe kështu ndodhi edhe në mandatin pasardhës. Këtë herë duket se do të shkojë në favor të Hillary Clintonit (ndoshta për shkak të rritjes së popullsisë hispanike). Nëse do të përfundonte në kolonën “blu”, do të ishte hera e parë në 100 vitet e fundit që ka votuar për demokratët tre herë rresht.

Georgia (16 zgjedhës të mëdhenj) – Shkon drejt Trumpit. Herën e fundit që ka votuar për një kandidat demokrat, ka qenë për Bill Clintonin, më 1992. Këtu beteja është ndezur: sondazhet e fundit i japin Trumpit një avantazh të lehtë, ose një shkëputje që hyn në marzhin e gabimit. Clintoni mund të shpresojë në mbështetjen e afro-amerikanëve të Atlantës, teksa sipas një sondazhi ajo votohet nga 89% e atyre me ngjyrë. Duhet parë nëse do të arrijë të mobilizojë edhe latinët dhe aziatikët.

Iowa (6 zgjedhës të mëdhenj) – Fituar nga Obama më 2008 dhe 2012, këtë herë mund t’i shkojë Trumpit falë elektoratit të bardhë dhe me nivel të ulët arsimimi. Ka vetëm 6 zgjedhës të mëdhenj, por në shtegun e ngushtë drejt Shtëpisë së Bardhë, mund të rezultojë thelbësore.

Michigan (16 zgjedhës të mëdhenj) – Që nga viti 1988 nuk mbështet një republikan për Shtëpinë e Bardhë. E megjithatë ky shtet industrial, Clintonit i ka rezervuar tashmë një surprizë të keqe në zgjedhjet primare, duke votuar Bernie Sandersin. Me 72% të popullsisë të bardhë dhe një nivel arsimimi jo të lartë, Clintoni, e cila është e fortë sidomos mes pakicave, tani është në vështirësi.

Wisconsin (10 zgjedhës të mëdhenj) – Shteti ku ka lindur Partia Republikane nuk dërgon në Shtëpinë e Bardhë një republikan që nga viti 1964, por Trumpi, duke synuar klasën punëtore, e cila ka vuajtur e para në kurriz rënien e industrisë amerikane të prodhimit, por përpiqet të përmbysë situatën. Nuk ka punuar për të Paul Ryani, spikeri republikan i Kongresit, i zgjedhur pikërisht në Wisconsin, që nuk e ka mbështetur asnjëherë, edhe pse më një nëntor ka votuar për Trumpin.

Virginia (13 zgjedhës të mëdhenj) – Muaj më parë, avantazhi i Clintonit ishte kaq i madh, saqë të dy ekipet e fushatave elektorale pushuan reklamat në televizion. Por më pas gara u bë shumë e fortë dhe të dy u rikthyen në televizion.

New Hampshire (4 zgjedhës të mëdhenj) – I vogël dhe i pavarur, nuk është një çmim i madh në lojë me 4 zgjedhësit e vet të mëdhenj, por është terren përplasjeje për shkak të një komuniteti republikan të ashpërsuar, në një zonë tradicionalisht demokratike. Këtu në fakt demokratët kanë fituar katër nga 5 zgjedhjet e fundit. Por gara e Clintonit, që dukej se do të fitonte pa shumë sforco, është dobësuar në dy javët e fundit dhe sondazhet tregonin se ajo ishte në rënie, pas shpalljes së rihapjes së hetimit të FBI.

New Mexico (5 zgjedhës të mëdhenj) – Toka e magjisë ka qenë një bastion demokrat në dy garat e fundit elektorale, me Obamën që arriti një avantazh me dy shifra ndaj sfidantëve republikanë. Edhe Trumpi, me pozicionet e tij të ashpra mbi imigrantët dhe propozimin për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën, e ka të vështirë të depërtojë në zemër të elektoratit, i cili për më shumë se një të tretën është hispanik. Gjërat i ndërlikon i treti i parehatshëm, kandidati i Partisë Libertare, Gary Johnson, guvernator i shtetit për dy mandate: parashikimet i japin 7% të votave. Kujt do i rrëmbejë më shumë vota?

Utah (6 zgjedhës të mëdhenj) – Shtet “i kuq” që nuk ka zgjedhur një demokrat që nga viti 1964. Por mund të rezervojë një surprizë edhe për Trumpin, falë një ish-agjenti të CIA-s: Evan McMullin, mormon, konservator i pavarur. Është kokë më kokë me Trumpin, përpara Clintonit. Mbështetja që merr mes shumë mormonëve janë prova që mormonët e shohin me dyshim manjatin njujorkez. 62% e 3 milionë banorëve të Utah janë mormonë.

Ohio (18 zgjedhës të mëdhenj) – I fituar nga Barack Obama më 2008 dhe 2012, ky shtet ka megjithatë një popullsi të formuar 80% nga të bardhët dhe pesha e klasës punëtore dhe të mesme amerikane, në ankth për ekonominë, mund të jetë vendimtare dhe në favor të Trumpit. Dhe në fakt kandidati republikan ka pesë pikë avantazh. Një shtet që Trumpi duhet ta fitojë, nëse dëshiron të shpresojë për fitoren përfundimtare, duke patur parasysh edhe që zakonisht, kush fiton Ohion, bëhet president. Fushata e Clintonit ka mësyrë në Ohio në ditët e fundit. Të premten, Beyonce, Jay Z dhe Katy Perry shkuan në Cleveland për të mbështetur ish-sekretaren e Shtetit.

Artikulli paraprakBugajski: Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin dhe Kosovën
Artikulli tjetërBrendi Rama nuk vlen shumë