Sulmi i përgjakshëm terrorist ndaj dy xhamive në Zelandën e Re mund të shkaktojë një spirale të re dhune. Milicët xhihadistë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” kanë bërë thirrje për hakmarrje.
Një zëdhënës i organizatës terroriste “Shteti Islamik” në një publikim në kanalet e zakonshme të mediave sociale të IS-it është shprehur, se “liderët e të pafeve” kanë derdhur lotë krokodili për viktimat e masakrës në qytetin e Zelandës së Re, Christchurch.
Skenat e vrasjes në dy xhamitë i nxisin përkrahësit e IS-it që të hakmerren për fenë dhe vëllezërit e tyre të besimit, ka thënë ky person, i paraqitur si zëdhënës i IS-it. Vërtetësia e mesazit në audio nuk mund të provohet përfundimisht, po ajo u shpërnda në kanalet e njohura të IS-it.
Në sulmin me motive raciste të premten, australiani, Brenton Tarrant vrau 50 vetë në dy xhami, më shumë se 30 të tjerë trajtohen në spitale. 28 vjeçari ekstremist i djathtë, që e filmoi vetë atentatin është akuzuar për vrasje të shumëfishtë dhe duhet të llogarisë me burgim të përjetshëm.
“Merrni hak”
Zëdhënësi i IS-it kërcënoi SHBA dhe aleatët me një rezistencë të re në Siri. “Merrni hak për gjakun e vëllezërve dhe motrave tuaja”, u kërkoi ai përkrahësve. Prej disa javësh trupat kurde me mbështetjen e koalicionit kundër IS-it përpiqen të marrin nën kontroll rajonin Baghus.
Në bastionin e fundit të IS-it janë të mbledhur disa qindra milicë xhihadistë.
Në fund të shkurtit, presidenti Trump deklaroi, se janë rimarrë “100%” e territoreve të okupuara përkohësisht nga IS-i. Zëdhënësi i IS-it tha se kjo “fitore e sajuar” nuk ka të bëjë me realitetin.