Shteti kundër shtetit: Policia akuzohet për shkelje të ligjit në protestën e mbështetësve të Veliajt

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme deklaruan përmes dy njoftimeve të premten se Policia e Shtetit nuk kishte ndërmarrë asnjë masë dhe kishte injoruar kërkesat e shpeshta të punonjësve të Gardës së Republikës për të siguruar perimetrin e jashtëm të godinës nga mbështetësit e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj më 12 shkurt, duke vënë në rrezik jetën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të administratës gjyqësore.

“Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm u është cënuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre,” deklaroi Gjykata e Posaçme përmes njoftimit.

Situata e paprecedentë ndodhi të mërkurën, kur mbështetësit e Veliajt dhe Partisë Socialiste u mblodhën që në orët e para të mëngjesit rreth Gjykatës së Posaçme në shenjë proteste për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pas përfundimit të seancës, protestuesit u filmuan teksa kishin rrethuar makinat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe thërrisnin në kor “Turp”.

Gjykata e Posaçme dhe SPAK i kërkuan shpjegime Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, lidhur me mos-ushtrimin e detyrës nga ana e policisë për të garantuar sigurinë dhe rendin në perimetrin e jashtëm të këtyre institucioneve të drejtësisë, megjithëse një gjë e tillë u është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Neglizhenca e Policisë ka sjellë sipas dy institucioneve vështirësi në lëvizjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe pengimin e tyre që të dalin nga ambientet e gjykatës, ndërkohë që protestuesit kanë goditur makinat si dhe kanë sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit për të garantuar rendin në gjykatë erdhi pasi kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje kryebashkiakut Veliaj dhe nuk i kurseu sulmet ndaj gjyqtarit të çështjes, Erion Bani dhe SPAK.

Pyetur nga BIRN mbi sjelljen e Policisë së Shtetit, zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk komentoi, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim institucioneve respektive. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani tha se sapo t’u mbërrijë shkresa, do të ngrenë një grup inspektimi për të verifikuar pretendimet.

“Policia shkeli ligjin”

Godina e Gjykatës Speciale ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës, por vetëm në perimetrin e saj të brendshëm. Sa i përket sigurisë në ambientet e jashtme të Gjykatës, Garda bashkëpunon dhe bashkëvepron me Policinë e Shtetit për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe objekeve në ruajtje.

Ish-drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi i tha BIRN se gjatë protestës së 12 shkurtit, Policia e Shtetit ka neglizhuar në kundërshtim me ligjin për më shumë se 13 orë. Ai thekson se në raste të tjera, kur policia ka konstatuar grumbullime të paligjshme që ushtrojnë presion ndaj institucioneve, ka vënë në lëvizje edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

“Pasi Gjykata dhe Garda kanë kërkuar ndihmë dhe nuk iu është dhënë, kjo tregon se gjithë zinxhiri drejtues dhe komandues i Policisë ka mosvepruar me dashje dhe në kundërshtim me ligjin”, tha Prençi, ndërsa shtoi se kjo “duket e qëllimshme, për të lejuar simpatizantët e subjekteve të veprës penale, që të ushtronin presion ndaj Gjykatës së Posaçme dhe SPAK”.

“Është dukshëm veprim i qëllimshëm dhe u kuptua nga deklarata e Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili tha se ishte veprim sporadik, por nuk mund të thuhet sporadik për 13 orë”, tha Prençi.

Ai vlerësoi gjithashtu se prononcimi i ministrit të Brendshëm tregoi ndikimin e thellë politik në zinxhirin komandues e drejtues të Policisë së Shtetit, që është mjaft i dëmshëm, sidomos në këtë periudhë zgjedhore.

Një ditë pas protestës, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u justifikua para gazetarëve lidhur me mosveprimin e policisë, se tubimi nuk ishte njoftuar më parë dhe shtoi se në rastet e protestave të tjera kishte pasur lajmërim. Sipas Hoxhës, vështirësia erdhi se simpatizantët u mblodhën në mënyrë të menjëhershme./Me shkurtime nga BIRN

Artikulli paraprakOsmani dhe Kurti takim me të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi! Presidentja dhe kryeministri takojnë veçmas Peter Sorensen
Artikulli tjetërTirana tjetër e Erion Veliajt