Qershori do të jetë shumë i zënë për Gjykatën Kushtetuese, një institucion që ka si funksion parësor interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Vetëm nga grupet e interesit të bizneseve pritet të shqyrtojë tre çështje:
1. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është paditur 4 herë në Kushtetuese nga grupi parlamentar i PD-së, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar IEKA, nga avokati Lulzim Alushaj dhe 151 profesionistë të lirë, si dhe nga Shoqata e Autoshkollave.
2. Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive ka ankimuar ndryshimet e ligjit 61/2012 “Për Akcizën në Republikën e Shqipërisë”, që sollën nga 1 janari 2023 dyfishimin e akcizës për prodhuesit e birrës.
3. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar korrikun e kaluar, me rritjen e çmimeve të referencës.
Pa i hyrë analizës nëse këto grupe interesi kanë apo jo të drejtë, nëse Gjykata Kushtetuese funksionon me paanshmëri, pa presion politik apo qeveritar, apo nëse sipërmarrjet kanë besim të lartë te drejtësia, ka një element që të bën përshtypje: mungesa e dukshme e dialogut mes institucioneve qeverisëse e ligjbërëse dhe grupeve të interesit.
Kjo tendencë është tërësisht në linjë të kundërt me atë që tenton të propagandojë qeveria në vend, e cila madje së fundmi riaktivizoi dhe Këshillin Ekonomik Kombëtar, që synon të promovojë një politikë të re ekonomike dhe fiskale.
“Ky është fillimi i një kuvendimi, për të cilin unë jam shpresëplotë.
Gjithmonë e më shumë nevoja për bashkëpunim, për bashkërendim të perspektivave në një hapësirë, në një tryezë të përbashkët për përputhje të profileve të ndryshme dhe qasjeve të ndryshme është e domosdoshme”, do të shprehej kryeministri Edi Rama, në takimin e parë të këtij këshilli.
Fjalët mund të jenë inkurajuese, por veprat jo. Prej vitesh ka paqëndrueshmëri të lartë te sistemi fiskal. Taksat ndryshojnë vazhdimisht edhe në mes të vitit, duke shtuar pasiguritë për bizneset.
Ndonëse ka një paketë fiskale, që teorikisht diskutohet çdo fund viti bashkë me projektbuxhetin e vitit pasardhës, ndryshimet kalojnë në pjesën më të madhe pa u konsultuar me grupet e interesit, ose vetëm me një pakicë prej tyre.
Bizneset nuk janë më ato të fillimviteve ’90. Në këto dekada janë rritur, janë strukturuar, janë formalizuar, janë diversifikuar, po investojnë jashtë vendit dhe po përpiqen të mbijetojnë në një ekonomi që është bërë gjithnjë e më konkurruese, për shkak të hapjes së vendit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Është detyra e institucioneve qeverisëse e ligjbërëse që të ndihmojnë ekonominë të bëhet sa më konkurruese, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke krijuar një sistem të qëndrueshëm fiskal, me ligje të drejta, rregulla loje të barabarta, që nxisin investimet dhe promovojnë sipërmarrjet.
Pak kohë më parë, dhomat e huaja të tregtisë në Shqipëri u bënë bashkë për të shprehur hapur shqetësimin mbi ambientin për të bërë biznes në Shqipëri, duke e cilësuar atë si joefektiv dhe duke bërë thirrje për përmirësim të konsiderueshëm nëpërmjet reformave gjithëpërfshirëse.
A kanë të drejtë prodhuesit vendas të birrës që ankohen, në një treg që po pushtohet gjithnjë e më shumë nga importet?
A duhet t’i mbrojë ende shteti direkt me tarifa, apo mos duhet t’i ndihmojë të bëhen më konkurrues?!
A kanë të drejtë profesionet e lira që ankohen për zbatim të padrejtë të ligjit dhe veçim të tyre nga pjesa tjetër e subjekteve të vogla?! Këto dilema mund të ishin zgjidhur, nëse do të kishte pasur më shumë dialog.
Trokitja gjithnjë e më e shpeshtë në Gjykatën Kushtetuese është një sinjal se shteti ende nuk po e merr seriozisht sipërmarrjen në vend, apo vihet në lëvizje vetëm kur has në rezistencë, siç ndodhi së fundmi kur tatimet “toleruan” me zbritjen apriori të shpenzimeve prej 30% të profesioneve të lira, ndonëse ata vetë nuk e kishin parashikuar në udhëzime që të zbatohej që tani.
Çfarë duhet të bëjnë sipërmarrjet ndaj një shteti që i trajton në pjesën më të madhe si “armik”?!.
Kaq të paafta janë institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese që në vijimësi prodhojnë gabime dhe të krijojnë shqetësim në mjedisin e biznesit?!/ EDITORIAL MONITOR.AL