“Shthurja” e bashkive

Pushteti vendor ka mundur të alokojë vetëm 71% të buxhetit që kishin në dispozicion vitin e kaluar, duke treguar dobësi të theksuara sidomos në shpenzimet kapitale, teksa zonat rurale kanë mangësi të mëdha në shërbime që nga rrugët, menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me ujë etj. Tetë vite nga zbatimi i Reformës Territoriale, analizat tregojnë se ka mungesë të shërbimeve në zonat rurale dhe përkeqësim të tyre në zonat urbane. Kostot e shërbimeve janë rritur, por cilësia nuk ka ndryshuar. Tarifat e ujit në rang kombëtar janë rritur mbi 140% gjatë dekadës së fundit, por mbulimi i popullsisë me ujë ka rënë ndërmjet 2015-2023. Menaxhimi i mbetjeve është ndërlikuar nga kontratat korruptive të inceneratorëve në qytetet e mëdha, teksa shumë fusha përgjegjësie janë në udhëkryq nga mosndarja e qartë e kompetencave mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

 

 
Blerina Hoxha

Kompetencat dhe territoret e bashkive janë zgjeruar dukshëm pas reformës territorialë të vitit 2015 dhe gjithashtu, edhe kapacitetet financiare.

Financimet gjatë 8 viteve, që nga shkrirja e 373 njësive vendore në 61 bashki janë dyfishuar dhe pushteti i bashkive është i gjerë në komunitetet që drejtojnë, që nga strehimi e deri te kujdesi social, bujqësia, infrastruktura rurale dhe arsimi parashkollor, të cilat nëse zotërohen siç kërkojnë ligjet, ata mund të ndikojnë cilësinë e jetës, po aq edhe sa politikat e qeverisë qendrore.

Por në realitet, cilësia e shërbimeve, jo vetëm që nuk ka ndryshuar që nga reforma, por në shumicën e rasteve, kostoja e tyre është rritur, teksa rajonet e Shqipërisë po zbrazen nga popullsia dhe sidomos të rinjtë.

Komunitetet rurale po përballen me mungesa të mëdha në shërbime dhe në infrastrukturë, teksa bashkitë e vendit nuk janë të afta të zbatojnë dhe të realizojnë buxhetet e tyre të vogla karshi nevojave të mëdha.

Ministra e Financave llogariti se në vitin 2023, të 61 bashkitë dhe 12 qarqet e vendit kishin në dispozicion për të shpenzuar 79.4 miliardë (përfshi fondet e rindërtimit), por në fakt realizuan vetëm 71% të tyre. Në disa, realizimi i buxhetit është më i ulët më pak se 50%, ndërsa në disa të tjera ka tejkalim të lartë dhe krijim detyrimesh të prapambetura.

Reforma Territoriale, gjatë 7 viteve nga implementimi, ka krijuar një rrëmujë ligjore dhe kompetencash, duke lënë shpesh shumë funksione pa një institucion përgjegjës të përcaktuar mirë.

Kompetencat shpesh për fusha të tilla si mjedisi, strehimi, infrastruktura rurale, furnizimi me ujë janë dubluar. P.sh. bashkitë kanë në pronësi rrjetin rural të rrugëve, por Fondi i Zhvillimit dhe buxheti qendror zotërojnë fondet për investime në këtë drejtim.

Në rrëmujën e kompetencave, bashkitë gjithnjë e më shumë po përballen me mungesën e aftësive dhe burimeve njerëzore që të mundësojnë zbatimin e politikave në të mirë të komuniteteve lokale. Agron Haxhimali, nga Instituti Shqiptar i Bashkive, tha se buxheti i bashkive ndikohet nga lobimi i qarqeve të politikës se sa nga nevojat reale që kanë rajone të veçanta.

Ai tha se ka një shpërndarje jo të drejtë të burimeve kombëtare, që është e dukshme sidomos kur bëhet fjalë për fondet e kushtëzuara qeveritare.

Banka Botërore, në marrëveshjen e re që nënshkroi vitin e kaluar me vendin tonë, vuri në dukje se shumica e autoriteteve vendore kanë rezultuar të paaftë për të fituar kapacitetin operacional dhe financiar për të menaxhuar dhe për t’i ofruar këto shërbime në mënyrë të qëndrueshme, duke rezultuar të pamjaftueshme dhe me cilësi të ulët të shërbimit.

 

Vlera e investimeve bashkiake nis nga 0

Zbatimi i buxheteve vendore na tregon se, në disa bashki, kapacitetet për të shpenzuar në disa zëra produktivë janë më të larta se në disa të tjera. Si shembull shërbejnë investimet kapitale ku disa bashki kanë më shumë fokus se disa të tjera.

Të dhëna të Ministrisë së Financave për vitin 2023 tregojnë se në disa bashki të vogla, zëri i investimeve kapitale ishte thuajse zero në raport me totalin e buxhetit.

P.sh. Bashkia e Tepelenës çoi vetëm 0.4% të shpenzimeve totale për investime, ndërsa Bashkia e Libohovës, vetëm 3.8% e ndjekur nga ajo e Skraparit dhe Peqinit, me 4.1%. Në 8 bashki të vendit, investimet kapitale ishin më pak se 10% e buxhetit total në dispozicion për investime.

Në 20 bashki, investimet kapitale zinin 10-20% të buxhetit total.

Bashkia e Kamzës, ndër vite, renditet në vendin e parë sa u përket investimeve kapitale në raport me buxhetin total. Në vitin 2023, Bashkia e Kamzës çoi 66% të buxhetit total për investime, e ndjekur nga Bashkia e Mirditës, me 57%, e Durrësit me 55% dhe ajo e Kavajës, me 52%.

 

Bashkitë, ndarje të pabarabartë të fondeve dhe realizim i ulët

Përveç buxheteve lokale në territoret e bashkive, qeveria dhe fondi i zhvillimit janë investitorë të mëdhenj. Ministria e Financave, dy vitet e fundit, ka nisur të raportojë investimet në pushtetin vendor (qarqet + plus bashkitë) sipas zërave. Për vitin 2023 rezulton një realizim shumë i ulët i projekteve ndaj komuniteteve lokale dhe një shpërndarje e pabarabartë e tyre.

Ministria e Financave rakordoi se në vitin 2023, të gjitha fondet për investime në pushtetin vendor ishin programuar në vlerën e 48,3 miliardë lekëve (470 mln euro), por në fakt u realizuan vetëm 54%, ose vetëm 26.5 miliardë lekë (260 mln euro).

Të dhëna më të detajuara tregojnë se bashkitë e Rajonit Verior janë më të varfra krahasuar me Jugun dhe Qendrën, por në vend që të favorizohen me financime, ato u diskriminuan më tej, si nga buxheti qendror, edhe nga ndarja e buxheteve lokale.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2023, në 12 bashkitë e mëdha të vendit, që përfaqësojnë qendrat e prefekturave, u investuan gjithsej 16,6 miliardë lekë (fondet e veta + transferta e buxhetit qendror) nga 31,6 miliardë lekë të planifikuara.

Nga shuma e investuar prej 16,6 miliardë lekësh (158 milionë euro) në 12 bashkitë e mëdha, vetëm 986 milionë lekë ose 9,3 milionë euro u investuan në bashkitë e Veriut (Lezhë, Dibër, Shkodër dhe Kukës).

Kjo shumë përfaqëson vetëm 5.9% të fondeve totale që u investuan vitin e kaluar nga 12 bashkitë. Nga programi i investimeve në 12 bashkitë e mëdha për vitin 2023 (31.6 miliardë lekë) vetëm 4.8% e fondeve ishin planifikuar për t’u investuar në 4 bashkitë e Veriut.

Nga investimet e realizuara në 12 bashkitë e mëdha, gjysma e fondeve janë investuar në Bashkinë më të madhe të vendit, në atë të Tiranës, e cila alokoi vetëm 45% të programit të investimeve më 2023. Bashkia e Durrësit u rendit e dyta, me 3,3 miliardë lekë investime, me një realizim 58,3%.

Nga 12 bashkitë më të mëdha, ajo e Elbasanit kishte realizimin më të dobët të fondit të investimeve me vetëm 30% të programit, Bashkia e Korçës me 43.7% të programit dhe e Tiranës, me 45% të programit.

Rindërtimi pas tërmetit kishte projektet më të mëdha të investimeve të bashkive më 2023. Projekti më i madh ishte rikonstruksioni dhe riparimi i banesave individuale në Bashkinë e Durrësit, me vlerë të realizuar 1,98 miliardë lekë në vitin 2023, nga 3.5 miliardë lekë të programuara në këtë zë.

Projekti i dytë më i madh ishte rindërtimi i banesave individuale në Bashkinë e Tiranës, me vlerë 1,29 miliardë lekë, nga 1,46 miliardë lekë që ishin në program.

Projekti i tretë më i madh ishte rindërtimi i objekteve arsimore në Bashkinë e Kamzës me 927 milionë lekë.

I katërti është rindërtimi i banesave individuale në Kavajë, me vlerë 636 milionë lekë.

Qeveria i rriti financimet nga transferta e pakushtëzuar ndaj bashkive në vitin 2024, por për disa bashki, ku niveli i jetesës është mbi mesataren kombëtare, ka më shumë rritje të financimeve se për bashkitë e varfra të vendit si Puka, Kukësi, Bulqiza, Shkodra etj.

Të dhënat zyrtare në buxhetin 2024 tregojnë se transferta e pakushtëzuar ndaj bashkive është mbi 35 miliardë lekë, me rritje rreth 16% në krahasim me buxhetin fillestar 2023.

Të dhënat krahasimore tregojnë se rritjen më të madhe të fondeve e ka Bashkia e Vorës, e cila do të ketë transferime nga buxheti i shtetit 20% më shumë se në vitin aktual.

Më pas vjen Bashkia e Tiranës, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit nga taksat e përgjithshme me 5,1 miliardë lekë, me rritje vjetore 19.5%. Bashkia e Tiranës ka të ardhura dhe shpenzime për frymë mbi mesataren kombëtare dhe është bashkia me kapacitetet më të larta të buxhetimit me të ardhurat e veta.

Më tej, rritje mbi mesataren e përgjithshme me fonde e kanë Bashkitë e Këlcyrës, Delvinës, Pustecit, Patosit, Peqinit, Dropullit, Roskovecit, ku rritja vjetore është mbi 17%.

Nga ana tjetër, bashkitë e Kolonjës, Gjirokastrës, Bulqizës, Durrësit, Sarandës, Kukësit, Skraparit, Pukës kanë rritje të fondeve me 14.5%.

Ndarja e transfertës së pakushtëzuar të qeverisë ndaj bashkive tregon se ka rritje më të madhe ndaj bashkive që kanë shpenzime më të larta për frymë.

P.sh., bashkitë e Kukësit dhe Dibrës u renditën me shpenzimet mujore më të ulëta të familjeve në shkallë vendi në anketën e INSTAT për vitin 2022.

 

Bashkite Lista e 50 projekteve me te financiara ne pushtetin vendor 1135
Burimi: Ministria e Financave

 

Tarifa e ujit u rrit me 143% gjatë dekadës, po mbulimi me ujë i popullatës ra

Bashkitë janë bashkëpronare të 49% të aksioneve të shoqërive të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve brenda kufijve të tyre administrativë, si dhe e të gjithë infrastrukturës publike të furnizimit me ujë dhe kanalizime në ish-komunat që u janë bashkuar bashkive të reja.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, gjatë dekadës së fundit, tarifat mesatare të furnizimit janë rritur me 143%, por mbulimi i furnizimit me ujë i popullatës është përkeqësuar që kur nisi zbatimi i reformës. Sipas Entit Rregullator të Ujit në vitin 2015, kur nisi reforma territoriale, 81% e popullatës në vend mbulohej nga furnizimi me ujë, ndërsa në vitin 2023 mbulohet vetëm 78% e saj.

Në vitin 2023, vendi u furnizua mesatarisht me 16,3 orë në ditë, vetëm 4 orë më shumë se në vitin 2015 kur nisi zbatimi i reformës dhe shumë larg premtimit për 24 orë.

Teksa qytetarët u ngarkuan me tarifa shtesë dhe shërbimet në zonat rurale u përkeqësuan, ndërmarrjet e ujësjellësit u përballën me vështirësi financiare të mëdha. Për të shmangur kolapsin total, qeveria nisi të zbatojë një reformë për rigrupimin e 41 ndërmarrjeve të ujësjellësit në 15 drejtori.

Ligji i Reformës Territoriale në vitin 2015 përcaktoi furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura, si një ndër 14 funksionet kryesore ekskluzive të bashkive në infrastrukturën dhe shërbimet publike.

Mirëpo për shërbimet e furnizimit me ujë nuk janë përmirësuar, edhe pse qeveria ka investuar rreth 52 miliardë lekë (500 mln euro) ndërmjet 2027-2022.

 

Komplikohet çështja e mbetjeve prej inceneratorëve

Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është ana më e dukshme se si pushteti vendor ka dështuar të menaxhojë situatën.

Tani kur numri i turistëve po rritet me shpejtësi, nevoja për të forcuar këtë shërbim bëhet akute. Por një skemë korruptive për ndërtimin e inceneratorëve që do të digjnin mbetjet për bashkitë e mëdha të vendit Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës, etj., e ka përkeqësuar edhe më tej situatën.

Objektet nuk janë vënë në punë, edhe pse fondet janë lëvruar, ndërkohë qytetarët dhe buxheti janë ngarkuar me tarifa shtesë për një shërbim që nuk ofrohet.

Gjatë fundit të vitit, kur buxheti 2024 po miratohej në Kuvend Bashkitë lëshuan një lumë ankesash për fonde të pamjaftueshme për menaxhimin e mbetjeve.

Për shembull të 6 bashkitë e Qarkut të Fierit u përballën me kosto shtesë për transportin e mbetjeve në vendndodhjen e re të inceneratorit që nuk punon, teksa nuk u mbështetën nga transferta e pakushtëzuar që buxheti i shtetit dha për mbetjet.

Bashkia e Durrësit çon rreth 70% të të ardhurave të veta për menaxhimin e mbetjeve nga kostot e larta të depozitimit në landfillin e Sharrës.

Kostot e Bashkisë së Tiranës për menaxhimin mbetjeve këtë vit janë më shumë se dyfishi, në krahasim me vitin 2017, përpara se të fillonte projekti i inceneratorëve, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti afatmesëm 2024-2026 i Bashkisë së Tiranës për periudhën 2021-2024 dhe 2017 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Këtë vit do të financohen për programin e menaxhimit të mbetjeve Urbane në Tiranë 2,9 miliardë lekë, ose më shumë se 27 milionë euro.

Kjo shumë është 47% më e lartë se në vitin 2020 dhe 124% më shumë se në vitin 2017 kur ende nuk kishin nisur përpjekjet për ndërtimin e inceneratorit në Tiranë dhe bashkia e kryeqytetit nuk bën diferencimin e mbetjeve gjatë grumbullimit.

Nga ana tjetër, në vitin 2022, sipas INSTAT rezulton të jenë menaxhuar rreth 820,322 mijë tonë mbetje urbane. Sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë ra në shkallë vendi, në vitin 2022, me 295 kg/banor, nga 311 kg/banor që ishte në vitin paraardhës.

Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është një rrëmujë e komplikuar që nis nga shifrat e pasakta të mbetjeve, investimet e gabuara dhe korruptive të djegëseve dhe paaftësia e bashkive për të shtrirë shërbimet e pastrimit jashtë territoreve urbane.

Pirgjet me plehra janë të shpërndara kudo në Shqipëri sidomos në afërsi të akseve rrugore dhe janë prezantimi me i keq që i bëhet vendit ndaj turistëve.

Ende nuk ka asnjë bashki në vend që të bëjë grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, teksa Banka Botërore vuri në dukje se mangësitë në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza minojnë zhvillimin e qëndrueshëm në sektorin e turizmit.

 

Rrugët rurale, pronë e Bashkisë, por buxheti qendror investon

Ashtu si edhe në shumë fusha të tjera, edhe në infrastrukturën rrugore rajonale, kompetencat e pushtetit vendor me atë qendrore ndërhyjnë me njëra-tjetrën.

Pas reformës territoriale, rrugët rurale kaluan në pronësi të bashkive të reja, të cilat kanë të drejta të plota për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e tyre.

Gjatësia e përgjithshme e rrjetit rrugor të Shqipërisë është rreth 15,000 km dhe përfshin rrugët kombëtare, rajonale, lokale dhe urbane. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është përgjegjëse për politikën dhe kuadrin rregullator dhe standardet teknike për 3606 km rrugë kombëtare dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore për 9400 km rrugë rajonale dhe lokale.

Por, për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike dhe financiare, ende qeveria nëpërmjet Fondit të Zhvillimit është investitori kryesor në rrjetin rural të rrugëve.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit po mbështet bashkitë në zbatimin e projekteve të infrastrukturës rurale nëpërmjet financimit konkurrues të granteve nga qeveria dhe një sërë projektesh të tjera të financuara nga donatorët.

Nga një total prej 9800 km rrugë dytësore dhe lokale, ka përfunduar faza e parë e inventarizimit me të dhëna të detajuara për rreth 4247 km, të identifikuara si rrugë kryesore të rrjetit rrugor rural. Ndërkohë është duke u zbatuar faza e dytë e inventarizimit dhe janë zhvilluar projekte teknike për 1200 km segmente rrugore të reja.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka trajnuar rreth 1000 punonjës të bashkive për funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor rural, duke vendosur në dispozicion të NJQV dhe një soft për llogaritjen e buxhetit të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor dytësor dhe lokal të bashkive.

Megjithatë, ende nuk ka një inventar të detajuar të rrugëve lokale dhe të administruara nga pushteti vendor dhe investimet përkatëse.

Sipas Institutit Shqiptar të Bashkive, ky inventar do të mundësonte një transparencë më të lartë të investimeve dhe orientimit të politikave vendore për këtë funksion ku vendimmarrja është e bazuar në një sistem kriteresh dhe jo preferencash politike. Instituti gjithashtu vuri në dukje se munguan investimet në infrastrukturën e 100 fshatrave.

“Këtij programi i mungoi objektivi, i munguan aktorët dhe përgjegjësit, i munguan burimet financiare. Ne rekomandojmë fort që mbështetja për fshatrat turistikë dhe jo turistikë të jetë përparësi, në vëmendje të qeverisë qendrore dhe vendore në mënyrë të vazhdueshme”, vlerësoi Instituti i Bashkive.

 

Burimi: Ministria e Financave

 

Burimi: Ministria e Financave

Revista “Monitor.al”

Exit mobile version