Shtohen kushtet, nuk jepet data

Sali BERISHA

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, në dokumentin e tij të sotëm, pasi vlerëson përpjekjet dhe progresin e Shqipërisë konkludon:
– Nuk ka datë për hapjen e negociatave
– Nuk ka datë për një raport të dytë për Shqipërinë për hapjen e negociatave
– Në kushtet për hapjen e negociatave shtohen edhe 7 kushte të tjera
Kështu, në kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për hapjen e negociatave, përveç zbatimit të reformës në drejtësi dhe Vettingut, Këshilli i Ministrave shton edhe 5 kushtet e njohura të përcaktuara në mbledhjen e tij të dt. 15 dhjetor 2015, të cilat në vlerësimin e tij nuk janë plotësuar. Prandaj dhe në dokument thuhet se, “Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës i të 5 prioriteteve kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”, vijohet më tej në tekst.
Përveç pesë prioriteteve dhe zbatimit të reformës të drejtësisë në konkluzionet e ministrave të Jashtëm të BE kërkohet: a-zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, b-reforma zgjedhore dhe zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe c-marrëdhënie të mira fqinjësie.
Të dashur miq, kjo deklaratë nuk është një fletë-rrufe e shkruajtur nga opozita, siç e quajti Edvin Kristaq Rama për të mbuluar përgjegjësinë dhe dështimin dhe mashtrimet e tij deklaratën me të njëjtat pika, madje me një më pak, të kryetarit të Komisionit Europian të Bundestagut gjerman, Krichbaum, por është dokumenti i miratuar nga 28 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel.
Duke shprehur keqardhjen e madhe për moshapjen e negociatave dhe mospërcaktimin e një date në të ardhmen për hapjen e tyre, për arsye që renditen më sipër, madje as dhe të një date për një raport të ri të afërt për shqyrtimin e hapjes së tyre, ju bëj thirrje shqiptarëve për të bashkuar çdo përpjekje për plotësimin e kushteve dhe rrëzuar muret që janë ngritur në rrugën e hapjes së negociatave!

Exit mobile version