Shtohen masat e sigurisë për biznesmenin që denoncoi Shullazin

Shtohen masat e sigurisë për dëshmitarin e mbrojtur Ylvi Beqaj, i cili denoncoi në Prokurori gjobëvëniet e Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Kërkesa për shtimin e forcave të sigurisë për biznesmenin Beqaj është bërë nga Prokuroria, pasi ai është kërcënuar, duke i kërkuar të heqë dorë nga dëshmia kundër Shullazit.
Mësohet se në bazën ku Beqja mbahet në ruajtje, qëndrojnë forca të shumta speciale dhe policie, për të shmangur çdo kontakt të tij me persona që mund të përbëjnë rrezik potencial për të.
Ylvi Beqja, është dëshmitari kyç kundër Emiljano Shullazit dhe të pandehurve, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
Pesë të pandehurit akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, Ylvi Beqja, Jani Zaka e Adriatik Kërçuku, shkatërrim të pronës me tritol, krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kërcënimin e Profesor Mynyr Konit.
Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda nisi procesi ndaj Shullazit dhe miqve të tij, por ndonëse u zhvilluan dy seanca brenda ditës, Prokuroria nuk mundi ta lexojë kërkesën për gjykim, pasi u përball me kërkesat e shumta të avokatëve të të pandehurve. Seanca e radhës ndaj Shullazit, pritet të zhvillohet më datë 23 maj. Ndërkohë, ndryshe nga më herët, në seancat e së mërkurës, Emiljano Shullazi u paraqit personalisht në Gjykatë bashke me katër miqtë e tij.

Exit mobile version