Nga Erisa Kryeziu
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shënoi fillimin e një kalvari disavjeçar rezistence për banorët e zonës së Kombinatit në Tiranë.
Si pasojë e tërmetit, Bashkia e Tiranës vendosi gjatë viteve 2020-2021 shembjen e 67 pallateve në këtë zonë. Megjithatë, procedurat e ndjekura për shembjen e tyre u shoqëruan me parregullsi, duke rritur në mënyrë artificiale nivelin e dëmtimit të deklaruar.
Nga pallatet e planifikuara, vetëm 35 u shembën, ndërsa pjesa tjetër u përfshi në procese gjyqësore, të nisura nga banorët.
Deri më tani, Qendra Res Publica, e cila ka përfaqësuar banorët e Kombinatit, ka fituar 19 çështje gjyqësore në Gjykatën Administrative kundër Bashkisë së Tiranës.
Ndër çështjet e fituara, përfshihen pallatet 12-13 në rrugën “Bernardin Palaj”, godinat 1 dhe 21, pallatet 141 dhe 153 (gjykuar pas shembjes), pallati 97 në rrugën “Llazi Miho” dhe dy pallate në rrugën “ish-Fabrika e Qelqit” dhe “Mihal Grameno”.
Sot, ndërsa inertet ende vijojnë të jenë prezente në ish-godinat e shembura duket sikur jeta ka ndaluar.
Por çfarë ndodhi gjatë 2024-ës për banorët e Kombinatit?
Parregullsitë në procesin e konstatimit
Gjatë vitit 2024, çështja e Kombinatit tërhoqi vëmendje për shkak të fitoreve të banorëve në gjykatë kundër Bashkisë së Tiranës. Qendra Res Publica, përmes avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule, depozitoi 22 padi në Gjykatën Administrative lidhur me pallatet e shembura dhe ato që ishin në plan për t’u shembur.
Avokatët argumentuan se akt-ekspertizat e Bashkisë Tiranë dhe Institutit të Ndërtimit kishin përcaktuar në mënyrë të padrejtë shkallë më të lartë dëmtimi për këto ndërtesa. Ky konstatim është pranuar edhe nga oponenca e Institutit të Ndërtimit.
“Fakti është që këto pallate kanë qenë në një shkallë DS3 dhe jo DS4 siç pretendon pala e paditur,” argumentoi avokatja Irena Dule, kur Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e pallateve 141 dhe 153 në Kombinat.
Sipas Aktit Normativ nr. 9/2019 dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 634, dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti kategorizohen në pesë nivele (DS1-DS5). Banorët e objekteve me dëmtime DS1 deri DS3 përfitojnë fonde për riparim, ndërsa për dëmtime DS4, nëse kostoja e riparimit tejkalon 70% të kostos së rindërtimit, ndërtesa duhet të shembet.
Një rast që ngjalli debat ishte ai i pallatit nr. 162. Fillimisht u klasifikua si DS2 dhe banorët përfituan fond për riparime. Por më pas, i njëjti institucion vendosi që pallati kishte dëmtime DS4 dhe kërkoi shembjen e tij.
“Ka dy standarde. Njëherë thuhet se duhet të riparohet, pastaj se duhet të prishet,” tha për Citizens.al Erjon Syziu, banor, njëherësh avokat.
Në fund, Gjykata Administrative vendosi në favor të banorëve, duke mos e lejuar shembjen.
Skualifikimet nga e drejta për një banesë
Një pjesë e konsiderueshme e banorëve janë skualifikuar nga procesi i rindërtimit dhe marrjes së një apartamenti.
Sipas aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, pronarët e banesave të shembura ku po ndërtohen objekte të reja duhet të marrin të njëjtën sipërfaqe banimi.
Por të dhënat e Bashkisë Tiranë në janar 2024, tregojnë se 4975 persona janë skualifikuar nga procesi.
“Nga 1446 aplikime, vetëm 670 prej tyre janë përfitues”, tha bashkia në një përgjigje me shkrim për Citizens.al në shkurt të 2024.
Arsyet kryesore të skualifikimit sipas bashkisë Tiranë lidhen me faktin se aplikuesit zotëronin më shumë se një banesë, kishin mangësi në dokumentacionet e aplikimit si dhe kur ekspertizat e bashkisë vërtetojnë se dëmet nuk kanë ardhur prej tërmetit të vitit 2019, por prej amortizimit të vetë banesave.
Këto arsyetime janë bërë shkak për hapjen e proceseve të tjera gjyqësore./Citizens.al