Shtohen vatrat e zjarrit, ja dy qarqet më të rrezikuara

Edhe përgjatë 24 orëve të fundit, për shkak të temperaturave të larta, rreziku i rënies së zjarreve mbetet i lartë. Strukturat e Emergjencave Civile vijojnë të mbeten të angazhuara për të përballuar situatën. Në 24 orët e fundit pati 2 vatra zjarri në Dibër dhe Lezhë.
Mbrëmjen e së premtes katër vatra zjarri janë shfaqur në pyjet e Kurbinit, ndërsa zjarrfikëset e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë. Sipas punonjësve të Bashkisë së Kurbinit, zjarri është shkaktuar nga pakujdesia e banorëve dhe temperaturat e larta kanë përhapur flakët. Ndërhyrja me mjete rrethanore nga banorët e zonës kanë mundur të shuajnë flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm. Zjarri, nëse përhapej, mund të rrezikonte rreth 5 hektarë me pisha e pemë të tjera në kodrat e kurorës së Laçit.
Qarku Dibër
Në orën 10:00, në fshatin Gurë Lurë, Njësia Administrative Lurë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Dibër, ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe disa pisha.
Qarku Lezhë
Në orën 19:30, në qytetin e Laçit ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Laç ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor.
60 forca ushtarake kanë shkuar për ndihme në vatrat e flakëve dhe pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile u kërkon të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.

Artikulli paraprakKërcënohet me armë dhe grabitet 29-vjeçari në Vlorë
Artikulli tjetërSkandal, pension edhe pas vdekjes në Pukë