Shtohen zërat kundër Berishës/ deputeti Ferdinand Xhaferraj: Berisha nuk mund të jetë në krye, të bëjë një hap pas

Ferdinand Xhaferraj tha se Sali Berisha duhet të japë kontribut në PD, por nuk duhet të jetë në krye të kësaj partie.

I ftuar në News24, ai tha se ka emra dhe personalitete të tjera që mund të marrin drejtimin e PD, dhe ta bëjnë një forcë alternative për qytetarët.
“Ky është një nga momentet më të vështira që po kalon PD por kjo nuk do të thotë se nuk e ka forcën për t’u thyer në forcë.

Duhet të reflektojmë dhe të vazhdojmë presionin që aktorë të rëndësishëm të kësaj parti të bëjnë një hap pas, që PD të kthehet në shpresë për shqiptarët.

Të gjithë kemi përgjegjësitë tona, por aktualisht duhet bërë detyrim që Berisha të vazhdojë të kontribuojë, por nuk mund të jetë në krye të lidershipit. Të jetë pjesë kontribuuese, por jo të drejtojë procesin, sepse në këtë mënyrë, është domosdoshmëri që të bëjë hap pas. Nuk duhet të futemi në garë si e keqja më e keqe por si alternativë.

Kjo parti ka prodhuar dhe ka njerëz të spikatur që kanë eksperiencë 10–15 vjeçare, ka edhe përtej PD. Duhet të jemi një opozitë alternativë”, tha ai.

Sa i përket komisioneve hetimore, ai shprehet se Rama po tenton që të mos i japë të drejtën që i takon opozitës, duke shtuar se ka dashur ta bëjë edhe Nano, edhe Berisha, me opozitën respektive.

“Këtë që po bën Rama sot, ka dashur ta bëjë Nano në 2003 dhe Berisha në 2007… mos t’ia japë të drejtën opozitave respektive. Në të dyja rastet u tërhoqën sepse nuk është përplasje me opozitën por me Kushtetutën. Ne jemi votuar për të bërë opozitë”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakDeputetët e Berishës bllokojnë punimet normale të Parlamentit, deputetët e Ramës tallen me njerëzit në mbledhjet online
Artikulli tjetërProfesori i shkencave politike, Fitim Zekthi: Falsiteti dhe e vërteta e Kongresit të PS-së dhe “Rithemelimit”