Në Sarandë këtë sezon turistik po shënohet një rritje tjetër e çmimeve të apartamenteve.
Në qytetin bregdetar janë drejt zhvillimit dhe përfundimit një sërë objektesh të reja banimi që shumë shpejt pritet të hidhen në tregun e shitjes së pasurive të paluajtshme.
Duke vlerësuar çmimet e deritanishme të prenotimeve sipas Eronit Çumanit drejtuesit të agjencisë imobiliare “Saranda Property” pronat po shiten me çmime më të larta se vitin e kaluar.
Çumani thotë se pronat e reja vijojnë të dalin me çmime nga 1,500 deri 2,500 euro për metër katror, ndonëse bëhet fjalë për objekte me vendodhja nga 500 deri 1,000 metra larg detit.
“Çmimet e pronave të reja këtë vit sigurisht janë më shtrenjtë se vitin e kaluar, pasi janë prenotuar për blerje prona të reja që në zhvillim me çmime 1,500 deri 2,500 euro për metër katror. Ndërkohë këto objekte janë me largësi nga deti deri në 1,000 metra. Pra në Sarandë nuk ka më diferencim çmimesh në varësi të vendodhjes së pronës. Çmimet e apartamenteve të reja po të dalin në nivele të njëjta, pavarësisht brezit të parë, të dytë e më tej”. Sipas tij rritja e çmimeve po ndikohet nga shtimi i kërkesës për prona nga të huajt.
Vitin e kaluar sipas të dhënave të agjencive imobiliare vlerat minimale të shitjes së apartamenteve varionin nga 1,500 deri 2,500 euro për metër katror nga 1,200 deri 1,700 euro për metër katror që u shitën në 2022. Çmimet vjet u rritën 25 deri 47%.
Ndërsa vlera maksimale për shitjen e pronave edhe përgjatë vitit 2023 vijuan të jetë 3,000 deri 3,500 euro për metër katror. Me tepër janë prona me afërsi nga deti dhe me sipërfaqe të madhe verande.
Sakaq shumë të huaj që më parë preferonin të kishin një shtëpi banimi në Sarandë për shkak të çmimeve të larta, sipas Eron Çumanit nga agjencia imobiliare “Saranda Property” më tepër po orientohen drejt marrjes së pronave me qira afatgjatë për periudhë disa vjeçare. Çumani pohon se shtimi i kërkesës pritet të nxisë rritjen e çmimit të qirave afatgjatë në Sarandë
Sakaq në Sarandë për shkak të çmimeve të larta dhe të papërballueshme nga vendasit, blerësit kryesorë të pronave vijojnë të mbeten të huajt. Krahasuar me zonat bregdetare të Malit të Zi, duke përfshirë Budvën apo Kotorin, në qytetin e Sarandës çmimet e pronave janë më të ulëta.
Drejtues i agjencisë imobiliare “Saranda Property” thotë 90% të pronave të shituara sezonin e kaluar në Sarandë janë blerë nga të huajt. “Shumica e blerësve janë nga shtetet e Bashkimit Europain, si: Gjermania, Zvicra, Austria, Italia dhe më pas vijojnë blerjet nga çekët dhe polakët. Shumica e tyre blejnë apartamente për qëllime banimi dhe investimi”.
Por rritja e çmimeve sipas Eron Çumanit ka ulur kërkesën për blerje pronash nga të huajt, të cilët tashmë më tepër po orientohen drejt marrjes së pronave me qira afatgjatë për periudhë 1 apo disa vjeçare. Çumani pohon se shtimi i kërkesës pritet të nxisë rritjen e çmimit të qirave afatgjatë në Sarandë.
Vitin e kaluar rritje të çmimeve pati në të gjitha zonat bregdet. Referuar të dhënave të agjencive imobiliare në vijën e parë të ndërtimit në zonën e Lungomares çmimet e apartamenteve arritën 2,700-2,800 euro për metër katror, nga 1,700 deri 1,800 euro që u shitën në vitin 2022. Rritja 55 deri 58%.
Ndërsa vilat elitare me pamje nga deti në zonat e Palasës u shitën me çmim 1,6 milionë euro nga 1,2 milionë euro që ishte çmimi i tyre në 2022.
Në bregdetin e Durrësit dhe Qerretit, çmimet e pronave në vijën e parë u rritën 15%. Agjencitë e pasurive të patundshme pohuan se shtrenjtimi i çmimeve erdhi nga kërkesa e lartë e të huajve dhe rritja e kostove nga materialet e ndërtimit./Monitor