Çmimi i gazit është shtrenjtuar javëve të fundit si për ata që kanë të instaluar impiante në automjete ashtu edhe për kategorinë e familjarëve.
Burime nga operatorët e tregut pohojnë se çmimi i gazit për automjetet është rritur me 25 për qind ku nga mesatarja prej 40-45 lekësh/litri që tregtohej më parë tashmë mesatarisht tregtohet me 50-57 lekë.
Për kategorinë e familjarëve rritja është me 11 për qind. Nëse më herët një bombol mbushej me 90 lekë litri së fundmi ajo mbushet kundrejt 100 lekëve për litër.
Periudha më e lirë e tregtimit të gazit ishte në kohën e pas karantinës kur në bursa si gazi edhe nafta u ulën në mënyrë drastike e për rrjedhoje çmimi më i leverdishëm u transmetua edhe në tregje. Në atë kohë një litër gaz për bombolat familjare u tregtua me 85 lekë/litri ndërkohë që më vonë çmimet kanë vijuar të rriten gradualisht. E njëjta logjikë aplikohej në çmimet post-karantinë edhe për gazin për automjetet ku kostoja ishte më e lirë.
Pritshmëria e operatorëve të tregut lidhur me çmimin e gazit është që të ketë tendencë rritjeje njëlloj sikurse po ndodh edhe me naftën. Kjo lidhet me pritshmërinë për një rritje të kërkesës në vazhdim teksa kushtet e pandemisë mund të lehtësohen nën efektet e vaksinës dhe hapjes graduale të ekonomive si dhe faktit që shumë prej rafinerive ulën prodhimin më herët.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu sikurse ndodhi me naftën edhe çmimet e gazit po pësojnë rritje në mënyrë të shpejte e lidhur kjo me situatën e përgjithshme të ngricës në Teksas. Edhe në Europë konsumi ka qenë në nivele të qëndrueshme për shkak të dimrit realtivisht të vështirë dhe karantinave të detyrueshme në një pjesë të mirë të vendeve. Por kjo është balancuar nga një kërkesë më e ulët e industrisë dhe biznesit që po punon nën kapacitet.
Ekspertët e tregjeve ndërkombëtare presin që të ketë një rritje të kërkesës në pranverë e cila do të konsumojë një pjesë të mirë të stokut të krijuar të gazit dhe paralelisht me këtë tërheqje presin dhe rritje të çmimit.
Koha e pafavorshme edhe në zonën e Gjirit ka bërë që të ketë më pak transport gazi drejt tregjeve duke lënë sasinë më të limituar. Kompanitë e transportit detar u shprehën se kishte rrezik në kushte mjegulle që zgjati thuajse një javë ndaj ngarkesat ishin vonuar.
Bloomberg pret që tregtia e gazit të rritet me 6 për qind këtë vit ndërsa në skenën globale rritja që vazhdoi edhe gjatë vitit 2020 pavarësisht pandemisë u udhëhoq nga Kina