Shtyhet gjyqi, Balliu: “Rama do arrestimin tim politik”!  

Shtyhet seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë ndaj ish-deputetit Klevis Balliu. Prokuroria kishte kërkuar masën e arrestit me burg për ish-deputetin Balliu, i arrestuar nga policia pas një protestë të banorëve të Unazës së re.

Balliu tha se është e turpshme kjo që po ndodh, ku qytetarët që protestojnë arrestohen dhe mbahen në burgje, ndërsa ata që po grabisin përditë pronat dhe pasuritë e shqiptarëve as nuk hetohen dhe as nuk arrestohen.

“Kjo që ndodh është krejtësisht e papranueshme. Arrestimi dhe kërkesa ndaj meje, por edhe ndaj ccdo qytetari që proteston dhe sot është në burg, është krejtësisht politike.

Ndërkohë që kemi qeveritarë të kapur në afera korruptive, të kapur në përgjime me trafikantë dhe grupe kriminale, dhe as nuk hetohen dhe as nuk veprohet”, tha Balliu.

Sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë fajtor mbi dhunën ndaj qytetarëve, nuk ka asnjë hetim mbi atë që ka ndodhur te Unaza e Re, me qytetarët e banorët të Bregut të Lumit, mbi qytetarët që mbyten me gaz nga policia, mbi ata që dhunohen.

“Këto janë akuza politike ndaj meje dhe ndaj disa protestuesve të Unazës. Erdhëm sot këtu dhe seanca u shty sepse nuk janë njoftuar njëri apo tjetri. Është çështje politike për të trembur opozitën, qytetarët që të mos dalin, të mos protestojnë. Janë përpjekje mjerane.

As opozita dhe as qytetarët nuk do ndalojnë protestën, për shkak se këtu siç e shihni dhe nga vetë senaca e fundit kur vjen një ish-deputet me avokatët e tij sepse është thirrur, ndërkohë disa të tjerë nuk thirren nga Prokuroria apo nuk çohet letrat në adresat e duhura sepse nuk funksionon shteti. Ne sot jemi pa qeveri, pa instituticione. Është pikërisht kjo arsyeja pse sot qytetarët ndodhen në burgje ndërkohë që banditët janë të lirë. Është kjo arsyeja pse dje janë arrestuar me dhjetëra me qindra protestues, disa prej tyre janë lënë në burg ndërkohë që banditë që kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve, qoftë kjo tek rruga e Milotit, ku nuk mban njeri përgjegjësi dhe tek afera korruptive e Unazës.

Paratë e shqiptarëve vidhen nga politikanë të korruptuar dhe këta rrinë shijojnë paratë e tyre, ndërkohë banorët e Unazës dhe qytetarët që protestojnë futen në burg.

Nuk do ketë asnjë moment që opozita do të ndalet për një kauzë të drejtë që është liria e fjalës, e drejta e votës dhe drejtësia. Nuk do ketë asnjë moment të opozitës apo qytetarëve të ndalen derisa të largohet Rama”, tha Klevis Balliu .

Artikulli paraprakBanditët në polici qëllojnë me qytën e pistoletës babë e bir në protestë, reagon Berisha
Artikulli tjetërArben Malaj poshtëron Veliajn: Dikur në Kuç të Kurveleshit këndohej…