Shtyhet gjyqi për Shullazin, mungojnë prokurorët

Ka zgjatur vetëm pak minuta këtë të martë seanca e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit të akuzuar për disa vepra të rënda penale. Shkak i shtyrjes ka qenë mungesa e dy prokurorëve të çështjes, Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, që i kishin paraqitur një shkresë Gjykatës, ku e kishin justifikuar mungesën për arsye objektive. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të ndërpresë procesin, pasi vazhdimi i saj nuk ishte i mundur.
Ky vendim ka ngjallur reagimin e mbrojtësve të Shullazit. Avokati Vladimir Meçe e ka cilësuar si të paprecedentë sjelljen e tyre dhe ka kërkuar pushimin e çështjes, pasi sipas tij, Prokuroria me këtë veprim tregon se nuk ka forcë për të mbrojtur akuzën.
Sipas mbrojtësve, veprimi i prokurorëve nuk mund të justifikohet, pasi po të kishin qenë ata avokatë që do të kishin munguar Gjykata do të merrte masa dhe madje do t’i gjobiste. Seanca e radhës do të zhvillohet në 31 tetor, kur pritet të pyeten 4 dëshmitarë të akuzës, të cilët nuk ishin paraqitur këtë herë.

Artikulli paraprakPërgjegjësja e zyrës postare i vjedh pensionet të moshuarve
Artikulli tjetërGrabiten 18500 euro në dy banesa në Vlorë