Shtyhet seanca e radhës për “Sterlizimin”, çfarë tha ish-ministri Ilir Beqaj para gjykatës

Më 3 tetor në orën 09:00 është shtyrë seanca e radhës për dosjen e “Sterilizimit” ku i pandehur është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Shkak u bë tejzgjatja prej 4 orësh e seancës dhe mosarritja që të ezaurohej leximi i akteve nga SPAK. Ndërkohë, gjatë seancës pati një pretendim të ngritur nga Beqaj e që lidhet me thirrjen e tij në fillim të tetorit, në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për çështjen e sterilizimit.

Ilir Beqaj: Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet e mia dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Kam ndërkohë nga një tjetër trupë gjykuese një masë sigurie (për dosjen SASPAC), sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia? Ky nuk është shqetësimi më i madh, pasi do duhet t’i zbërthej në komision të gjitha aktet dhe argumentet një pjesë e të cilave përbëjnë sekret hetimor, dhe deklarimet e mia atje mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës.

Togat e zeza thanë se mbrojtja e Beqajt duhej ta paraqiste një kërkesë të tillë zyrtarisht që gjykata të dalë me një vendimmarrje rreth pretendimit të ish-ministrit. Çështja e “Sterilizimit” ka ngecur në seancë paraprake për shkak të dosjes voluminoze e ku mbrojtja ka kërkuar që SPAK ta lexojë në gjyq çdo akt, duke ngadalësuar kështu procesin.

Për dosjen e “Sterilizimit”, Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa u la në masën detyrim paraqitje. Ish-zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen në qeli, ndërsa masa sigurie u caktuan për anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave.

Exit mobile version