Shtyhet seanca e sekuestrimit të pronave të familjes Balili

Seanca gjyqësore për sekuestrimin e pronave të familjes Balili është shtyrë ditën e djeshme nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda. Shkak u bë mosformimi i trupit gjykues. Seanca do të zhvillohet në janar të 2018-ës. Ndërmjet pasurive, të cilave u është vendosur sekuestro preventive, është edhe kompleksi “Santa Quaranta”.
Dhjetëra forca policore kanë mësyrë në 24 nëntor 2016 në hotelin Santa Quaranta në Sarandë, pronë e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Klement Balili, për ta vënë nën sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur në sekuestron preventive kompleksin e njohur dhe 20 apartamente që janë pronë e Balilit dhe familjes së tij, me dyshimin se janë përfituar nga aktivitete kriminale, si trafiku i drogës.
Para një muaji Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së Prokurorisë vendosi nën sekuestro preventive pasuria e Klement Balilit, ose i njohur ndryshe si “Eskobari” i Ballkanit. Nën sekuestro mësohet se janë vendosur troje, biznese dhe apartamente që rezultojnë në emër të familjes Balili në Sarandë. Sekuestroja e pasurive u bë falë bashkëpunimit me sektorin e hetimit të aseteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera, në pronësi të 44-vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktiviteti kriminal. Klement Balili është në kërkim që prej një viti pas urdhërit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në maj të vitit të kaluar, autoritetet greke pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera të BE.
Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” është në arrati. Arrestimi i tij nuk është bërë i mundur pavarësisht disa operacioneve blic të Policisë së Shtetit.

 

Artikulli paraprak863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, Gjykata le në burg Orest Sotën
Artikulli tjetërSi i zhvat policia emigrantët që kthehen për festat e fundvitit