Shtyhet sërish procesi ndaj Shullazit, vijon skema për lirimin nga burgu

Seanca gjyqësore për pyetjen dhe ballafaqimin e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja me Emiliano Shullazin dhe pjesëtarët e bandës së tij u shty përsëri ditën e djeshme. Shullazi nuk është paraqitur përsëri në seancën gjyqësore, ndërsa avokatët e të pandehurve u larguan nga salla e gjyqit, bashkë me të dyshuarit, të cilët nuk pranuan mbrojtës të caktuar kryesisht nga shteti. Gjykata e Krimeve të Rënda, duke parë mos paraqitjen e avokatëve të zgjedhur nga të pandehurit, i caktoi avokat kryesisht të pandehurve, të cilët refuzuan duke kërkuar largimin e këtyre avokatëve nga salla e gjyqit.
Veç avokatëve kryesisht, nga salla u larguan edhe avokatët e zgjedhur nga vetë të pandehurit dhe këta të fundit, të cilët debatuan me gjykatën për mos vazhdimin e seancës. Togat e zeza kërkuan që seanca të vazhdojë, por të pandehurit me arsyetimet e ndryshme proceduriale kërkuan shtyrjen, kërkesë kjo që nuk u pranua. Të ndodhur në këto kushte, për të mos zhvilluar seancën, të pandehurit u larguan bashkë me avokatët e tyre.
Gjykata, tha se do të ankohet pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku do të kërkojë marrjen e masave disiplinore ndaj mbrojtësve që nuk pranojnë të paraqiten në sallë dhe atyre që largohen, pasi në proces janë 5 të pandehur. Gjithashtu, mësohet se gjykata do t’i kërkojë ndihmë për zhbllokimin e këtij procesi edhe Ministrisë së Drejtësisë, për marrjen e masave për krijimin e kushteve që të zhvillohet procesi gjyqësor. Nga ana tjetër, në sallë u paraqit dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja, që kërkoi që të pyetet dhe të japë shpjegime për kërcënimet dhe gjobat ndaj tij.
Zvarritja e seancave gjyqësore bëhet me qëllim për të çuar drejt lirisë Emiliano Shullazin. Për t’ia arritur këtij qëllimi po përdoret e njëjta skemë si ajo e lirimit nga burgu të ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili i bëri kërkesë Gjykatës që të lirohej nga burgu, sepse vuante nga një sëmundje e rëndë. Edhe Shullazi ka deklaruar se është i sëmurë dhe para pak kohësh me këtë pretendim u shtrua në spital. Pas kësaj sajese me porosi të Ramës, pritet që mjekët nën presion direkt të organizatës kriminale të paraqesin një raport për të liruar Shullazin nga burgu.

Artikulli paraprakShkulen pllakat në trotuaret e Durrësit, hidhet beton i Gjushit
Artikulli tjetërPolicia zvarrit ekstradimin e Arben Frrokut nga Holanda