Shtypi austriak heton vilën e Vlahutin

Gazeta austriake “Die Presse”, e përditshmja më e vjetër e dalë në shtyp që në perandorinë hasburgase dhe partizane e pavarësisë shqiptare asokohe shkruan për dyshimet për korrupsion në blerjen e vilës rezidenciale nga ana e znj. Vlahutin.
Gazeta thekson se afera e Vlahutin është e ndërlikuar për Komisionin Europian, i cili insiston që Shqipëria të luftojë korrupsionin.
1,65 milionë euro kushtoi rezidenca e ambasadores së BE-së në Tiranë, shumë më shtrenjtë se çmimi imobiliar i zakonshëm.

Nga Wolgang Böhm

Si mund të kushtojë 1,65 milionë euro një vilë në Shqipëri, një nga vendet më të varfëra të Evropës? Me këtë çështje po merret aktualisht shefja e Komisionit të Kontrollit Buxhetor në Parlamentin Evropian, Ingeborg Graessle (CDU).
Shkak është blerja e një ndërtese nga Shërbimi i Jashtëm Europian i BE, i kryesuar nga Mogherini, e cila po hetohet brenda institucioneve europiane. Aty do të strehohej shefja e përfaqësisë së BE-së.
Mediat lokale dyshojnë për korrupsion sepse çmimi 4780 euro për metër katrorë për banesën e përfaqësueses në Rolling Hills pranë Tiranës ishte shumë mbi atë të zakonshëm 1000 deri maksimalisht 2000 euro për metër katrorë. Të tjera banesa të ngjashme po aty janë shitur me çmime më të leverdisshme.

Vila të tjera të papërshtatshme

Graessle, e cila po heton çështjen, i ka dërguar pyetje Sh.J.E. (Mogherinit) përgjigjet e të cilit i ka “Die Presse”. Përgjegjësit justifikohen se çmimi u ul përmes negociatave nga 1,75 milionë në 1,649 milionë euro. Vila ka një pjesë private dhe një pjesë reprezentative. Ajo përfshin jo 345 metra katrorë, por 585 dhe kjo e ul çmimin nga 4780 në 2819 euro për metër katrorë. Që edhe ky çmim ishte mbi nivelin e tregut lokal nuk i shqetësoi administratorët e çështjes. Godina më të lira rezultuan të papërshtatshme edhe për arsye sigurie shkruan në përgjigjen e tij Sh.J.E.
Çështja është e ndërlikuar sepse Komisioni i BE kritikon korrupsionin në Shqipëri prej vitesh dhe tani duhet të përballet me kritika për veprime të diskutueshme.
Vila e re e ambasadores së BE, Romana Vlahutin ka bërë bujë në Bruksel për shkak të shumës së madhe të parave që ka kushtuar kjo rezidencë. Zyra Anti-Mashtrim e BE-së (OLAF) ka refuzuar që të konfirmojë apo të mohojë nëse po heton çështjen aktuale. Zyra Anti-Mashtrim e BE-së është pyetur nga portali “Tirana Echo” nëse ka nisur hetim. “Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes suaj. OLAF zakonisht nuk bën komente për rastet që janë nën hetim apo që nuk janë nën hetim. Duhet të ruajmë konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm apo ndonjë procesi gjyqësor të mundshëm, në mënyrë që të respektohen të drejtat personale”, tha Zyra Anti-Mashtrim e BE në një prononcim për portalin “Tirana Echo” pak ditë më parë. OLAF ka konfirmuar gjithashtu për këtë portal se drejtori i përgjithshëm i Zyrës Anti-Mashtrim të BE-së dhe Prokurori i Përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla kohët e fundit kanë shkëmbyer mendime rreth bashkëpunimit mes dy institucioneve që drejtojnë.

Exit mobile version