Martin Vladimirov
Në prag të hyrjes së Bullgarisë në Bashkimin Europian në vitin 2007, ambasadori rus në Bruksel, Vladimir Chizov, deklaroi se, “Bullgaria do të ishte Kali i Trojës për Rusinë brenda Bashkimit Europian”. Edhe pse më pas shtoi se deklaratën e kishte bërë “me kuptimin e mirë të fjalës”, fjalët e ambasadorit u shndërruan menjëherë në një parashikim profetik. Gjatë dhjetë viteve të fundit, të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore e kanë ndjerë erën e ftohtë që fryn nga Lindja.
Qëllimi i Rusisë është të dobësojë kredibilitetin dhe autoritetin moral të Bashkimit Europian, veçanërisht ndërmjet vendeve aspirante të integrimit europian si Serbia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Moska e ndjek këtë qëllim të saj përmes kanaleve të ndryshme. Mbështetja e Putinit për partitë jo liberale të vendeve të ndryshme të Europës është një strategji e njohur tashmë.
Kremlini ka qenë i aftë edhe të zhvendosë – veçanërisht në Serbi – burimet e tij të fuqishme dhe të nënvlerësuara gjerësisht të pushtetit të butë, siç është prezenca e jashtëzakonshme mediatike në vend, fondacionet fetare dhe kulturore, si dhe programet e shkëmbimit akademik. Por ajo që mund të konsiderohet si leva më e fuqishme që ka Moska në dispozicion është paraja.
Që në vitin 2008, Rusia e ka përhapur gjurmën e saj ekonomike nëpër Europë, duke e rritur agresionin gjithmonë e më shumë. Në rast se Bashkimi Europian dhe vendet anëtare, veçanërisht ato lindore, nuk përmirësojnë reformat e tyre antikorrupsion dhe të frenojnë rebelimin e institucioneve qeverisëse, Rusia do të vazhdojë të jetë e aftë të ushtrojë me gjithë forcën pushtetin e saj ekonomik për të influencuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vendimmarrjen.
Këto janë disa nga konkluzionet e arritura nga një studim 16-mujor i kohëve të fundit në lidhje me influencën ruse në Europën Qendrore dhe Lindore. Në këtë studim është zbuluar se influenca ekonomike e Rusisë në rajon vazhdon të jetë çuditërisht e lartë. Mesatarisht, gjurma ekonomike e Rusisë në pesë vendet e studiuara me detaje në raportin e publikuar (Serbia, Bullgaria, Letonia, Hungaria dhe Sllovakia) luhatet nga 11 për qind e të gjithë ekonomisë së një vendi (si në rastet e Hungarisë dhe Sllovakisë) deri në nivelin maksimal prej 22 për qind në Bullgari gjatë dekadës së fundit.
Sigurisht që, në princip, nuk ka asgjë të keqe me zhvendosjen e kapitalit rus në vende të tjera të botës. Problemi qëndron në atë që Rusia kërkon të arrijë me të. Së pari, Moska është bërë mjeshtre e shfrytëzimit të influencës së saj për të blerë më shumë influencë, për të ruajtur dhe përhapur dominancën e naftës dhe gazit në tregjet europiane, për të shfrytëzuar pikat e dobëta të qeverisjes për të manipuluar procesin e vendimmarrjes dhe për të kapur institucionet rregullatore për të parandaluar liberalizimin e tregut dhe konkurrencës.
Së dyti, është bërë dukshëm e qartë se Rusia nuk është e interesuar vetëm për biznes. Në fakt, ajo kërkon të përdorë burimet e saj të konsiderueshme dhe në rritje për të trazuar konsensusin liberal dhe demokrat të vendosur nga Bashkimi Europian dhe të ngrejë paralelisht “pushtetin vertikal” të Rusisë si një alternativë ndaj BE-së.
Për shkak se rajoni është fatkeqësisht tepër i varur nga burimet natyrore të naftës dhe gazit të Rusisë, sektori i energjisë ka qenë prej kohësh kanali kryesor i influencës ekonomike të saj. Gjatë dekadës së kaluar, sasia e gazit rus në konsumin e përditshëm të pesë vendeve të përfshira në studim nuk ka rënë asnjëherë poshtë nivelit prej 60 për qind dhe që në vitin 2004, niveli ka arritur në vlerën 80 për qind.
Për shkak të kësaj varësie ndaj energjisë së Rusisë dhe integrimit të tyre të pamjaftueshëm në tregjet e Bashkimit Europian, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë paguar rreth 10 deri në 30 për qind më shumë për importet e tyre të gazit natyror rus, krahasuar me Gjermaninë gjatë dekadës së fundit. Kompania shtetërore e gazit në Bullgari, për shembull, do të paguajë për gjigantin e gazit rus Gazprom 1,1 miliard euro më shumë për pesë vitet e ardhshme nëse vazhdon diferencimi i çmimit për vendin.
Rusia e përdor Gazpromin edhe për të ndëshkuar apo shpërblyer “klientët” e saj në varësi të qëndrimeve të politikës së jashtme që ata mbajnë. Për shembull, Kremlini ndihmoi rritjen e Victor Orbanit në Hungari, duke e shpërblyer presidentin me një ulje të konsiderueshme të çmimit të gazit që në prill të vitit 2014 pas zgjedhjes së tij.
Natyrisht që energjia ka një komponent mjaft të fortë politik. Furnizuesit e gazit rus – nënkontraktorët e Gazpromit ose kompani të tjera të kontrolluara nga qeveria ruse – kanë shërbyer shpeshherë si të dërguar politikë që i bëjnë presion qeverive të Europës Qendore dhe Lindore për çështje të rëndësisë ekonomike strategjike për Rusinë. Në rastin e Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë, këto ndëmjetës të gazit kanë luajtur rolin kryesor në promovimin e një sërë projektesh të nivelit të lartë për energjinë të drejtuara nga Rusia, si gazsjellësja e Rrjedhës së Jugut apo centralet e energjisë bërthamore në Belene dhe Paks.
Këto projekte bërthamore e kanë lejuar Rusinë ta “burgosin” një qeveri të caktuar në marrëveshje financiare afatgjata me vlerë miliarda euro. Këto projekte përbëjnë edhe rrezik të madh afatgjatë për vendet që i pranojnë, duke rrezikuar stabilitetin finaciar dhe duke lejuar Rusinë të manipulojë vendimmarrjen e qeverisë. Siç mund të dëshmojë edhe rasti i centralit Belene, projektet e drejtuara nga Rusia në këto vende nxisin krijimin e rrjeteve të kontraktorëve të korruptuar dhe mund të shtojnë ndjeshëm deficitin qeveritar.
Përveç sektorit të energjisë, që pas krizës financiare të vitit 2008, Rusia është përpjekur të përhapë edhe prezencën e saj korporative në financë, media dhe telekomunikacion, transport, ndërtim, industri dhe sektorin imobiliar. Duke pasur parasysh pronarët kryesorë të kompanive, Rusia është investitorja më e madhe në Bullgari, Serbi dhe Letoni, ku investimet e saj përbëjnë 10 për qind të GDP-së. Pothuajse një e dhjeta e të ardhurave që gjenerojnë kompanitë e këtyre tri vendeve shkojnë direkt ose në mënyrë të tërthortë tek kompanitë ruse përmes ndërmjetësve.
Shembujt në të cilët Rusia ka shfrytëzuar pushtetin e saj ekonomik janë të shumtë. Dusan Bajatovic, zëvendëskryetar i partisë serbe pro ruse socialiste është gjithashtu CEO i “Srbijagas”, kompania shtetërore e gazit që nuk e lejon Serbinë të diversifikojë furnizimin e vendit me gaz duke u shkëputur sadopak nga Rusia. Në Letoni, Rusia ka sabotuar shumë përpjekje të qeverive të ndryshme për të hapur tregun e tyre të gazit duke kërcënuar se do të ndryshojë drejtimin e eksporteve ruse që bëjnë tranzit në portet e Letonisë, gjë që mund të dëmtojë shumë sektorin e transportit dhe ekonomisë në tërësi.
Zyrtarët bullgarë kanë folur publikisht për dyshimet që kanë se kompanitë energjetike të Rusisë kanë financuar protestat e viteve 2012 dhe 2013 kundër nxjerrjes së gazit në vend dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Këto protesta arritën të rrëzonin edhe qeverinë që sapo kishte arritur të frenonte projektin e centralit bërthamor rus Belene dhe ndërtimin e një gazsjellëse që do të transportonte naftën ruse nga Bullgaria në Greqi.
Kompanitë ruse kanë investuar gjithashtu edhe në sektorë të tjerë si sportet dhe aktivitetet kulturore për të përhapur gjerësisht pushtetin e butë të Rusisë në Letoni, Serbi dhe Bullgari, i kanë bërë presion qeverive lokale që të mos hetojnë shkrirjet jo transparente dhe përvetësimet e ndryshme të kompanive, që të adoptonin regjime të taksave preferenciale dhe të frenonin reformat e liberalizimit të tregut.
Për shembull, falë transferimit të zgjuar të skemave të çmimit dhe sistemit të taksimit të lirë, “Lukoil”, kompania më e madhe e naftës në Bullgari, ka arritur të raportojë fitime 0 që nga vitit 2008 (duke shmangur kështu shlyerjen e taksave), pavarësisht se kontrollon pjesën më të madhe të tregut në vend. Bizneset ruse kanë financuar edhe mediat në Serbi, Bullgari dhe Letoni që në shumë raste kanë mbajtur qëndrime pro ruse në raportimet e tyre.
Deri tani, qeveritë në rajon i kanë mbështetur vazhdimisht sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë dhe Sllovakia bashkë me Hungarinë e kanë furnizuar Ukrainën me gaz edhe atëherë kur Rusia kërcënoi të ndalonte plotësisht furnizimin e këtyre shteteve. Megjithatë, retorika e kohëve të fundit e kryeministrit hungarez Orban dhe atij sllovak Robert Fico ka marrë ngjyrime të qarta pro ruse, si në mbrojtjen e Putinit ashtu edhe në shprehjen e aprovimit të politikës së tij të jashtme.
Vendet e ndikuara nga presioni ekonomik i Rusisë e kanë vonuar së tepërmi liberalizimin e tregjeve të tyre të energjisë, kanë kundërshtuar politikën e emigracionit të BE-së dhe i kanë përhapur lidhjet me Ukrainën, në rastet duke adoptuar argumente të promovuara nga Rusia. Nëse Sllovakia dhe Hungaria nuk do të ishin anëtarë të Bashkimit Europian dhe nuk do të ishin vende pritëse të një sërë korporatash shumëkombëshe perëndimore, sistemet e tyre politike do të vuanin akoma më shumë nga kontrolli oligarkik rus që buron nga influenca ruse në vend, njëlloj si në rastin e Ukrainës përpara revolucionit të vitit 2014.
Nëse duan të frenojnë influencën ekonomike ruse në Europën Qendrore dhe Lindore, institucionet e Bashkimit Europian duhet të nxisin mekanizmat antikorrupsion dhe asistencës së zhvillimit për të ndihmuar vendet e dobëta që të ndërtojnë një mbrojtje më të mirë përballë influencës ruse. Qeveritë europiane duhe të bëjnë publike pronarët përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale për të fuqizuar transparencën dhe për të kuptuar më mirë influencën ruse.
Ata duhet të diversifikojnë më shumë edhe ekonomitë, veçanërisht duke rritur aksesin në burimet e energjisë alternative dhe fuqizimin e lidhjeve të tyre me tregjet energjetike të Bashkimit Europian. Së fundi, duke mbyllur edhe boshllëqet në qeverisje dhe duke përmirësuar ligjet antimonopol, do ta vështirësonte disi përdorimin e pushtetit ekonomik të Rusisë për të imponuar interesat e saj politike në një vend.
Përpjekjet e suksesshme antikorrupsion të vendeve balltike dhe puna eficiente e kundërinteligjencës me agjencitë shtetërore të sigurimit në Çeki, e cila publikon një raport vjetor ku analizohet influenca ruse, janë shembuj të mirë për t’u ndjekur. Më pas, ajo që funksionon më mirë për të frenuar influencën malinje të Rusisë është angazhimi i fortë ndaj vlerave të qeverisjes liberale europiane: transparenca, institucionet e pavarura, rregulli i ligjit dhe ekonomitë e diversifikuara dhe të distancuara nga shtypja ekonomike ruse.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI