Shuhet albanologu Robert Elsie

Albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, ka vdekur. Elsie është emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillimshekullit 21.
I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën.
Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë, ku dhe do të mësonte edhe të folmen në gegnisht të shqipes, përmes njohjeve me kosovarët. I dekoruar nga Presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë.
Po ashtu, ai kishte përkthyer letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli.
Ndërkohë, ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie kishte përpiluar edhe leksikë dhe fjalor të shqipes, si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Gjithashtu, ai kishte qenë përkthyes gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në Hagë, ku kishte përkthyer drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë.

Exit mobile version