Ndahet nga jeta në moshën 68-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Bujar Lako. Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm rreth orës 8:30, si pasojë e një ataku kardiak. Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948.
Dhjetëra role në kinema dhe teatër
Bujar Lako karrierën si aktor ai e filloi në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt u bë i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj, ai realizoi një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë për ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), “Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive në Shkup në produksionin “Varrtarët”.
Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit i Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”.
Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
Sot homazhet
Ditën e sotme do të zhvillohen homazhet për aktorin e njohur Bujar Lako, i cili u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare. Homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktorit do të zhvillohen në banesën e tij në orën 11:00 në Rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë. Bujar Lako u nda nga jeta dje në mëngjes si pasojë e një ataku kartiak.
Basha: Bujar Lako ishte artist i papërsëritshëm
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu dje ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur shqiptar Bujar Lako, i cili u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 68-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Basha shprehet se, Lako ishte një artist i papërsëritshëm që i dha jetë si askush tjetër personazheve të ngulitura në memorien e publikut.
“Me hidhërim të madh, mora vesh lajmin për ndarjen nga jeta të Bujar Lakos. Zemra e tij pushoi sot në mëngjes herët, duke e larguar fizikisht nga kjo botë ikonën e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Artist i papërsëritshëm që i dha jetë si askush tjetër personazheve të ngulura në memorien e publikut, Bujari ishte një njeri i madh po ashtu, që kurrë nuk hoqi dorë nga përunjësia dhe sjellja njerëzore, megjithë arritjet e mëdha dhe lavdinë e merituar në art. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për Mirën dhe Bojkenin, për miqtë e dashamirësit, për admiruesit dhe ndjekësit e panumërt të artit, kinemasë dhe roleve të të madhit Bujar Lako. U prehtë në paqe!”, shprehet Basha.
Berisha: Bota jonë shpirtërore është në dhimbje e zi
Ish-Kryeministri Berisha ka shprehur ngushëllime për ndarjen e papritur nga jeta të aktorit të njohur shqiptar, Bujar Lako. Në një mesazh ngushëllimi në Facebook, Berisha e cilëson aktorin Bujar Lako princ të skenës dhe të filmit.
“Ndahet nga jeta Bujar Lako, njëri prej artistëve më të shquar të kombit dhe një personalitet i mirënjohur!
Të dashur miq, me ndarjen nga jeta të Bujar Lakos, njërit prej aktorëve të skenës dhe filmit më të mëdhenj, më të talentuar dhe më të dashur për publikun shqiptar, arti, kultura, bota jonë shpirtërore është në dhimbje dhe zi të vërtetë.
Bujar Lako, princi i skenës dhe filmit shqiptar, me gjeninë e tij artistike, interpretimet e tij mahnitëse në dhjetëra e dhjetëra role kryesore në skenën e teatrit dhe në filma të shumtë, pushtoi ndofta më shumë se kushdo tjetër zemrën e publikut dhe meritoi vlerësimet më të larta brenda dhe jashtë vendit.
Me angazhimin e tij në politikë përkrah PD, Bujari i solli politikës shqiptare fisnikëri dhe civilitet.
Me këtë rast i shpreh familjes, të afërmve, miqve të artistit të pavdekshëm ngushëllimet e mia më të thella dhe i lutem Zotit që shpirti i Bujarit të gjejë paqen e merituar!”, shkruan Berisha.
Rajmonda Bulku tregon pengun e Bujar Lakos
Aktorja Rajmonda Bulku mes lotësh shprehet se Shqipëria humbi një aktor të rrallë. “Nuk ka më Bujar Lako, nuk ka më aktor si ai. Do i mungojë teatrit, filmit, neve na mungon, artit shqiptar i mungon, ne do vuajmë për këtë mungesë”, thotë Bulku.
E pyetur nëse kishte ndonjë peng, Rajmonda Bulku shprehet se shpesh me Bujarin bënin shaka duke hamendësuar sesa të famshëm do të ishin bërë nëse do të kishin lindur në një vend perëndimor. “Nuk e di nëse mund të quhet peng, por shpesh bënim shaka e qeshnim kur thoshim, “Na ra koka në një vend të varfër dhe komunist, ndryshe do ishte diku tjetër”.
Shokohesh kur mëson këtë humbje. E duam Bujarin tonë ne aktorët, e duam të gjithë shqiptarët kudo ku janë”. Bulku madje shpreh habi sesi zemra u bë shkak për vdekjen e Bujar Lakos. “Bujari ishte ndër ata meshkuj, që as bark nuk vuri kurrë, e kishim zili për fizikun e tij dhe na habiti ky atak kardiak”, shprehet aktorja Rajmonda Bulku.