Ikona e televizionit në Kosovë, Shaban Arifaj është ndarë nga jeta në moshën 69 vjeçare.
I biri Lorik Arifaj, gazetar i Radio Televizionit të Kosovës, ka njoftuar lajmin e kobshëm se është ndarë nga jeta babai i tij, Shaban Arifaj, i cili për vite me radhë ka qenë ikona e televizionit.
“Te dashur miq,
Me dhimbje te thelle, ju njoftojme se sot ne moshen 69 vjecare ka nderruar jete baba jone Shaban Arifaj.Per detajet rreth varrimit ju njoftojme nderkohe, pasi qe trupi ndodhet ne Shkup.Ju jemi mirenjohes per mesazhet mbeshtetese qe na keni dhene gjate gjithe kohes.Ne u munduam ne maksimum, por Zoti e deshi kete engjull prane.Do te te duam baba jone deri sa te kemi fryme.PUSHO NË PAQE”, ka shkruar Lorik Arifaj.
Shaban Arifaj kishte lindur më 6maj, 1952, në Istog ku kishte kryer shkollimin fillor dhe të mesëm.
Kishte studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik të UP-së. Kishte mbaruar edhe studimet e larta për gazetari si dhe studimet post-universitare nga lëmi i komunikimeve masive dhe kishte fituar titullin Master (Msc) i shkencave në komunikimin masiv dhe gazetari.
Në vitin 1974, Shaban Arifaj nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës si spiker, gazetar dhe redaktor. Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruan për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportojë për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njekohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli. Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë. Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj. ndërkaq nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.
Nga viti 1999, ai kishte punuar si redaktor dhe redaktor përgjegjës për 10 vjet rresht në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Krahas punës në RTK dhe RTSH, ai kishte ndjekur edhe një varg seminaresh për ngritje të vazhdueshme profesionale si në Virginia të SHBA-ve, Montreal të Kanadasë, Selanik të Greqisë etj. Në Institutin e Medies së Kosovës, kishte përfunduar trajnimin duke e marrë titullin e trajnerit të gazetarisë.
Krahas gazetarisë, ku kishte realizuar raporte, kronika, intervista etj., ai kishte shkruar edhe tekste të ndryshme publicistike, pastaj tregime, drama, romane siç janë “Eklipsi në mesditë”, “Dialogu me fqinjin”, “Harmonia në temperaturën minimale”, “Katraligu”, “Kosova në udhëkryqet ballkanike”, dhe librin shkencor “Gjuha, zëri dhe figura në radiotelevizion”.