Shuhet Kabil Bushati, gazetari që mori më vete “Mirënjohjen” e Shkodrës

Nga Mujë Buçpapaj

Lajmet për ndarjen nga jeta të miqve me të cilët ke ndjekur ëndërrën e lirisë dhe demokracisë janë gjithnjë tronditëse. I tillë ishte edhe njoftimi nga Shkodra për shuarjen e papritur të Kabil Bushatit, një publicist, studiues, botues dhe veprimtar i shquar shoqëror. Kabil Bushati, bëri shumë përpjekje intelektuale që të rritej besimi tek demokracia, të forcohej pluralizmi dhe mendimi i lirë, aq të nevojshme për një publik gjithnjë dhe më mosbesues ndaj kthesave shpesh dramatike të vendit dhe të vetë korpusit medatik. Kemi patur shumë kolegë që e filluam me ta gazetarinë re të viteve 1990 e në vijim.
Disa u lekunden dhe ikën duke gjetur punë në administratën publike apo në profesione të tjera më të rehatshme dhe pa telashe, ndërsa shumë të tjerë si Kabili nuk hoqën dorë, nuk u thyen kurrë. Ai shkroi për Shkodrën e tij, deri në momentin e ndarjes së paritur nga jeta në këtë fillim korriku me vapë dhe trishtim, me pasionin e ditës së parë. Kabili shkroi për shumë vjet për Rilindjen Demokratike, komente, reportazhe, skica, ese, lajme për zhillimet në qytetin e madh verior, me shumë pasion dhe dituri.
Për më shumë se dhjetë vjet botoi dhe drejtoi gazetën javore “Shkodra”. Ai ishte njëkohësisht botuesi dhe kryeredaktori i saj. E përgadiste në Shkodër dhe e printonte në Tiranë, deri sa media e shkruar hyri në kolaps për shkak të konkurentëve të fortë, mediave sociale, internetit etj. Atëherë ai hoqi dorë nga printimi në letër dhe vijoi ta botonte si gazetë në variantin online. Çdo javë e gdhinte në shtypshkronjat e Tiranës dhe në mengjes herët nisej për Shkodër për ta derguar gazetën.

Ardhja e tij në redaksinë e RD-së ishte një moment i mirëpritur për ne kolegët e tij, pasi shkonim në kafe dhe debatonim shpesh me tone të ashpra për demokracinë, ceshtjen shqiptare, mediat dhe problemet e tjera me të cilat vendi ballafaqohej. Por edhe bënin ndonjë shaka pasi ai sillte më vete edhe humorin tipik shkodranë. Kabili ishte një gazetar që shkruante me ndershmeri dhe saktësi në cdo raportim për qytetin e vet. Informacioni i pafund për Shkodrën dhe njohja me detaje e problemeve të qytetit e bënin atë një këshillues të mirë për shumë problem që kishin të bënin me atë qytet. Kabili e ndiqte cdo numër të gazetës “Nacional.”
Shpesh shkruante posacërisht për të. Shumë figura të shquara kulturore të Shkodrës janë pasqyruar në gazette, falë punës së tij. Njëherë ai botoi një letër të konsullit austriak për qeverinë e tij me 1850 i cili tek fliste për rrënjët kulturore europiane të qytetit, përmendte faktin se në Shkodër kishte në atë kohë 27 piano (në familjet aristokrate shkodrane), kur në Beograd nuk kishte asnjë të tillë. Me Kabilin bisedonim shpesh në telefon. Me pyeste për gazetën, shitjet, veshtirësitë e botimit të saj dhe për zhvillimet nga e djathta ku kishte kontribute të mëdha.
“Unë kam nxjerrë vetë një gazetë javore dhe e di me cfarë veshtirësishë botohet”, më thoshte çdo herë. Takimi i fundit më Kabilin ishte dy muaj më parë në kafen e Hotel Rozafës në qender të Shkodrës. Ishte një ditë me shi që nuk pushoi asnjë moment, por ai erdhi me një cadër të madhe dhe të zezë. Kam kaluar disa probleme shendetësore, më tha, por tani jam ma mirë dhe në fakt dukej mirë. Natyrisht pak i trishtuar. Ai si shumë eksponentë të gazetarisë së djathtë ndjehej pak i harruar. Nuk kujtohen të më thërrasin njëherë më tha gjithë pezm.

Sigurisht që kjo më la shije të keqe. Kabili ishte një intelektual serioz dhe më integritet të lartë. Ai gati tre dekada të jetës së tij ja dedikoi Shkodres, me shumë zell dhe idealizëm. Kabili nuk priste asnjë shpërblim, por një kafe, një email apo telefonatë, nuk kushton asgjë për ta kujtuar dhe nderuar një njëri me kontribute. Në këtë vetmi dhe të harruar u ndanë nga jeta këto vite disa miqtë e mij shkrimtarë dhe intekeltualë të shquar për të cilët ndjej trishtim. Në kafen e Hotel Rozafës, me Kabilin folën si përherë për mediat e lajmeve, kontrollin, autocensuren, për lajmet e rreme që mbullojnë mediat sociale, përformancën e gazetarisë së djathtë në vend, klubin e futbollit Vllaznia, etj.
Komentet e tij ishin si gjithmone të hidhura, por të vleshme, edhe pse deshpëruese. “Ne kemi bërë një gazetari të fortë dhe të ndershme”, më thoshte. Për gazetarinë është folur gjithmonë për profesionalizmin, paanshmerinë, objektivitin, por të gjitha nuk i shpetojnë subjektivitet të gazetarit. Për Kabilin vetëm ndershmeria e shpetonte gazetarinë shqiptare, besnikëria ndaj vetvetës dhe opinionit publik. Në bisedë e sipër më kujtoi se si kishte ardhur të më shihte në spitalin ushtarak në Tiranë, kur unë u sulmova me një breshëri automatiku në mes të Tiranës në gusht të vitit 1997 vetëm për shkak të gazetarisë politike, por edhe ngjarjet qe rodhen ato vite dramatike.
“Nuk je thyer dhe as trembur kurrë Mujo, ndërsa këta shiten edhe me një tender”, më tha i merzitur. Kabili u shpreh me deshpërim atë ditë se thuajse po instalohet kontrolli në media dhe më e keqja është duke u përsëritur praktika e vetëcensurës si në komunizëm.

Në Shqipëri si në shumë vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Juglindore, mediat e ndihmuan politiken që të rritej dhe zhvillohej, biles të forcohej, por ndryshe nga vendet tjera të ish-kampit komunist që u antërësuan në BE dhe shpetuan, mediat në Ballkanin përendimmor mezi po mbijetojnë dhe vetëm ato qe janë të lidhura me qeveritë. Mbikqyrja e mediave është bërë një mjedis i posaçëm politik dhe kjo nuk është një gjë e mire, biles kërcënuese për informimin e pavarur. Kjo kërkon edhe njeherë gazetarë trima dhe të ndershëm si Kabili.
Për gazetarët e rinj ndoshta nuk ka asgjë më të rëndësishme sa zbulimi i modeleve që i frymëzojnë ata në punën e tyre të vështirë të informimit, dhe Kabil Bushati ishte një gazetar i tillë. Kabili ishte një zë për të gjithë ata qytetarë që nuk kishin një dritare publike për të shprehur shqetësimet e tyre, dhe këto tipare e bëjnë Kabilin një gazetarë të famshëm që për gati 3 dekada i dha kuptim të ri fjalës së shkruar në demokraci. Qëllimi i gazetarisë është që t’u sigurojë qytetarëve informacionin që duhet për të marrë vendimet më të mira të mundshme për jetën e tyre, komunitetet e tyre, shoqëritë e tyre dhe qeveritë e tyre dhe Kabili e ka përmbushur këtë rol deri ditën e fundit të jetës.
Megjithëse Kabili konsiderohet si një model tradicional i gazetarisë, ai demonstroi cilësinë më të lartë si njëri dhe si intelektual. Ai nuk u përgenjshtrua kurrë për ato që raportonte dhe shkruante nga Shkodra, lidhur me zhvillimet e medha dhe të papritura. Emri i tij u bë sinonim i gazetarisë mbikqyrëse të demokracisë me të gjitha arritjet dhe dështimet e saj. Shtrirja e punës së tij në dhjetra vite demonstroi në fund të fundit edhe gamën e gjerë të mundësive që na jep të gjithë neve profesioni i gazetarit. Ai la pas veprën e tij në mijëra faqe të shtypit të lirë shqiptar, duke marrë me vete vetëm një certifikatë të thjeshtë të Këshillit Bashkiak të qytetit. I qoftë i lehtë dheu i Shkodrës!

Exit mobile version