Shuhet në moshën 79-vjeçare profesor doktor Selman Sheme, ish kryetar i Shoqatës “Çamëria”

Shuhet në moshën 79-vjeçare profesor doktor Selman Sheme, i cili ka drejtuar edhe Shoqatën Patriotike Çamëria.

 

Selman Sheme, i cili ka qenë edhe pedagog në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Histori Filologjisë ka mbyllur sytë mëngjesin e sotëm, ndërsa lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët përmes rrjeteve sociale.

Ndërsa Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” shkruan se ka hidhëruar jo vetëm komunitetin çam, por të gjitha ata që e njihnin.

Profesor Sheme përshkruhet si njeri i pazakonte, ndër të rrallët e këtij vendi, me kontribute të shquara në fushën e historiografisë, gjeografisë, religjionizmit, folklorit dhe pasurive materiale e kulturore të Çamërisë në veçanti, por edhe në studimet kombëtare shqiptare në tërësi.

Postimi: 

SHUHET PROF. SELMAN SHEME

Lajmi i vdekjes së Prof. Selman Sheme, studiues i palodhur dhe ish Kryetar i Shoqatës Patriotike Çamëria ka hidhëruar jo vetëm komunitetin çam, por të gjithë ata që e dinë se kush ishte ky njeri i pazakontë, ndër të rrallët e këtij vendi, me kontribute të shquara në fushën e historiografisë, gjeografisë, religjionizmit, folklorit dhe pasurive materiale e kulturore të Çamërisë në veçanti, por edhe në studimet kombëtare shqiptare në tërësi. Prof. dr. Selman Sheme, na ka dhuruar një botim të rëndësishëm, një vepër historike për Çamërinë, çështjen çame dhe dëshminë që ajo mbart në vetvete nga lashtësia deri sot. Duke pasur një qasje specifike dhe të veçantë, libri “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë” është një gur i rëndë në referimet historike dhe komplekse që studiuesi i propozon lexuesit, studiuesve, institucioneve dhe perëndimit në njohjen thelbësore të Çamërisë.

Krahas një varg veprash të tjera mbi gjeografinë humane dhe regjionale, Prof. Selman Sheme, duke gjurmuar e hulumtuar traditat etnokulturore të Çamërisë, na ka sjell disa vepra të epërme, të cilat kanë lënë gjurmë në botën akademike shqiptare dhe ballkanike. Në këtë hulli bëjnë pjesë edhe studimet e tij monografike: “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2008), “Gjeohapësira e Konispolit” (2009), “Epiri i Jugut – Çamëria” (2014) “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor” (2016), etj.

Profesor Selman Sheme do të nderohet përherë nga gjithë shqiptarët që e kanë njohur Atë dhe Veprën e tij. Ai e meriton plotësisht nderimin e përjetshëm.

Le të prehet në paqen e përjetshme Miku dhe bashkëpatrioti ynë!

Exit mobile version