Rritet në 4 numri i viktimave të aksidentit tragjik të së dielës në rrugën Shkodër-Velipojë. Sot është shuar në spital edhe vajza e madhe e familjes Preka, e cila u godit shumë rëndë nga ky aksident. Noemi Preka e humbi betejën, nuk mundi të jetojë. As për nënën e saj që kërkon fëmijët vazhdimisht në spital. Dhe as për ata që luteshin.
Prej pasdites së dielë, vajza dhjetë vjeçe ishte në koma. Tre pjesëtarë të tjerë të familjes së saj u përcollën për në banesën e fundit të martën. Bashkë humbën jetën në aksidentin tragjik në Velipojë. Noemi Preka është fëmija i tretë i familjes që ndërron jetë.
Babai, Edmondi që drejtonte makinën humbi jetën në vend, pasi përplasja me një mjet tjetër tip “Fuoristradë” rezultoi fatale. Por atë natë në spital ndërruan jetë edhe djali tetë muajsh dhe vajza 5-vjeçe. Në spital ndodhet e plagosur nëna, Evisa Preka 36 vjeçe. Ajo është përmendur dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën, por jo në dijeni për tragjedinë. Të plagosur nga aksidenti i së dielës ishin edhe dy personat që ndodheshin në “Fuoristradë”, por jashtë rrezikut.