Ylvi Beqja, biznesmeni që kallëzoi Emiljano Shullazin dhe bandën e tij për gjobëvënie dhe kërcënime, përfundoi dëshminë në sallën e gjyqit, ku nuk munguan debatet e kërcënimet ndaj tij. Ai akuzoi përsëri të pandehurit se e kishin kërcënuar dhe detyruar të paguajë gjoba të majme, që kapin shifrën e 550 mijë eurove.
Seanca gjyqësore e pyetje-përgjigjeve ka zgjatur mbi 2 orë, ku nuk munguan edhe kërcënimet nga të pandehurit në drejtim të dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Kjo për shkak se herë pas here, Ylvi Beqja përgjigjej me fjalët “nuk i mbaj mend bisedat”, takimet apo episodet e ndryshme për të cilat pyetej nga të pandehurit.
Në fjalën e tij, Beqja tha se, kërcënimet e Shullazit kanë vazhduar edhe pasi është arrestuar. Ai i tregoi togave të zeza edhe rastin e para dy javëve, ku sipas tij, nga brenda kafazit të sallës së gjyqit, Shullazi dhe të pandehurit e tjerë e kanë kërcënuar e ofenduar, në momentin që trupa gjykuese nuk ishte në sallën e gjyqit. Këtij pretendimi ju përgjigj vetë Shullazi, i cili i tha se përsëri do ta kërcënonte nëse vazhdonte të mashtronte Gjykatën. Ndërkaq, pyetjes së të pandehurit Gilmando Dani, që pse nuk i kishte denoncuar ata para arrestimit të tyre, Ylvi Beqja ju përgjigj se, “kisha frikë se do më vrisnit”.
Më pas, seanca vazhdoi edhe me pyetje të tjera, ku Shullazi ju drejtua tregtarit Beqja se pronën e ish-hotel “Vollgës” nuk mund ta gëzojë njeri tjetër veç atij edhe pse është i arrestuar. Ndërsa mohoi pretendimet e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja, se i kishte dërguar Elvis Martinin që të tërhiqte dëshminë ndaj tij. Shullazi tha se nuk e njihte Martinin dhe as nuk i kishte kërkuar apo angazhuar që të takonte Ylvi Beqjan për t’u tërhequr nga denoncimi ndaj tij.
Me përfundimin e dëshmisë dhe ballafaqimit të dëshmitarit të mbrojtur, Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar me pyetjen e 5 dëshmitarëve të akuzës, Ilirjan Muhon me detyrë drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, dy noteret Drita Plepo e Aida Spahiu, avokatin Neshat Fana dhe shtetasen Mirela Qato.
Ndërsa i pandehuri Shullazi kërkoi të merret në pyetje nga Gjykata ish-drejtuesi i Hipotekës së Durrësit Jurgis Çyrbja, i cili tashmë ka fituar mandatin e deputetit. Por kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata, me arsyetimin se ka kaluar moment procedurial i kërkimit të dëshmitarëve në këtë proces. Ku 5 të pandehurit me në krye Emiljano Shullazin akuzohen për një sërë akuash të rënda penale.
Në përballjen e dytë me biznesmenin Ylvi Beqja, i akuzuari për gjobëvënie dhe për drejtimin e bandës në rrugën e “Kavajës”, Emiljano Shullazi ka shpërthyer në kërcënime. Pasi Ylvi Beqja ka vazhduar me rrëfimin e tij për gjobëvënien në sallën e gjyqit, Shullazi i ka bërë një premtim, se hotel “Vollgën” nuk do ta gëzojë asnjeri”, megjithëse ai është në burg.
Në seancë, Ylvi Beqja përfundoi dëshminë e tij, duke shpjeguar se nuk e kishte bërë më parë denoncimin, sepse kishte frikë për jetën e tij. Beqja është përballur me të gjithë anëtarët e bandës që ndodheshin në kafazin e të pandehurve. Në seancën e kaluar ai ka dhënë një dëshmi të gjatë për marrëdhënien me Shullazin, ndihmën për të marrë hotel “Vollgën” dhe më pas prishjen e marrëveshjes mes të dyve.
Seanca do të vazhdojë me 5 dëshmitarë të akuzës. Ndërsa në listën e dëshmitarëve është dhe Jurgen Çyrbaj, ish-kreu i Hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i zgjedhur në zgjedhjet e 25 qershorit.