Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin Kjo javë në News24 ka komentuar deklaratat e kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Lala shprehet se beson se Meta bën të tilla deklarata, pasi ai frikësohet nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Sipas saj, hetimet që po zhvillohen ndaj Metës janë si një rrjetë merimange. Ajo tha se për çështjen CEZ-DIA janë pyetur Kastriot Ismailaj, bashkëshortja e tij, si dhe njerëz të afërt të Ilir Metës.
“Deklaratat shprehin frikën e Metës nga hetimet e SPAK. Ai ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm politik në Shqipëri. SPAK ka sekuestruar shumë celularë, janë sekuestruar celularë të personave që kanë bashkëpunuar ngushtë me Metën dhe Kryemadhin, prokurorët janë drejt individualizimit të veprave penale dhe kjo ka bërë që Meta të shtojë akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme. Duket se ka pasur përplasje të fortë mes prokurorëve në SPAK, por se Dumani ka marrë frerët e çështjeve të tij.
Unë jam kundër deklaratave të Metës. Theksi i hetimit është vënë tek pasuria. Thelbi i hetimit është pasuria. Besoj se do të kemi vendimmarrje shumë shpejt. Meta betejën mund ta ketë në sallën e gjyqit. Mendoj që zoti Meta është i informuar për veprimet e prokurorëve. Hetimi ndaj Metës është si një rrjet merimange. Për çështjen CEZ-DIA është pyetur Kastriot Ismailaj, bashkëshortja e tij ka dhënë dëshmi pranë SPAK, shumë persona afër Metës janë pyetur për këtë çështje, është pyetur Ralf Gjoni”, deklaroi Lala.