Atletiko e Madridit hodhi hapin e parë drejt finales së Milanos, pasi mundi 1-0 Bajernin e Mynihut, në ndeshjen e parë gjysëmfinale mes tyre në Champions League. Në sfidën e luajtur në “Vincente Calderon” ekipi i Simeones triumfoi 1-0 falë një goli të Saul në minutën e 11-të që mposhti Neuer me një goditje të bukur në hyrje të zonës. Atletico që në shtëpi është një kështjellë arriti të ruajë rezultatin deri në fund, pavarësisht se Bajerni në krahun tjetër u përpoq jo pak, sidomos në pjesën e dytë për të arritur te goli i barazimit.
Madje Alaba me një goditje fantastike në minutën e 55-të goditi dhe traversë, ndërsa dhe Vidal provoi gjithashtu nga distanca (74), por gjeti gati Oblak. Rezultati mund të kishte qenë dhe më i thellë në favor të Atleticos nëse “El Nino” Torres nuk do të kishte goditur shtyllën në të 75-ën, pasi kishte dribluar me mjaft mjeshtëri dhe Alaban. Pavarësisht se në fund Bajerni mbajti topin 70 për qind kundrejt 30 të Atleticos, los colchoneros arritën të fitonin, duke u nisur të favorizuar për ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena” falë dhe faktit që nuk kanë pësuar gol në sfidën shtëpiake.
Saul Niguez shënoi një gol që do ta kishte zili edhe Lionel Mesi, një perlë, të cilën mesfushori i Atletikos së Madridit e vlerëson si më të rëndësishmin dhe padyshim më të bukurin e karrierës së tij: “Ta analizoj golin? Nuk e di, në momentin e parë pashë që kisha lënë dy kundërshtarë mbrapa, pas driblimit të parë dhe më pas ishte më e lehtë që të hyja në zonë dhe me të majtën ta dërgoja topin në shtyllën më të largët. Ishte shumë i bukur si aksion, ndonëse atë që kisha bërë e kuptova më qartë vetëm në dhomat e zhveshjes, kur e pashë në televizion. Për mua, ky ishte goli më i bukur dhe më i rëndësishëm që kam shënuar deri në këtë hap të karrierës sime”, nënvizon 21-vjeçari, i cili duket se ka dalë me pengje nga ky takim.
“Si e mendoj ndeshjen e kthimit? Shumë më të lehtë, nëse do të kishim qenë disi me fat në rastin e Torresit. Ajo shtyllë do të na kishte dhënë një shtysë më të madhe, sepse Bajerni ishte skuadra më e fortë me të cilën jam përballur ndonjëherë, taktikisht dhe teknikisht. Gjithsesi, tifozëria jonë bëri diferencën, prandaj në Gjermani duam të kualifikohemi edhe për ta”, tha ai.
Antuan Grizman nuk është aspak i frikësuar nga Bajerni i Mynihut në pritjen e ndeshjes së kthimit, sepse takimi më i vështirë sipas sulmuesit francez ishte ai i djeshmi në shtëpi, ku presioni për të fituar ishte edhe dyfish më i madh. Prandaj, në pritje të duelit të dytë dhe deciziv, të martën e ardhshme mëngjarashi premton një luftë edhe më të fortë nga ana e Atletikos së Madridit: “Bajerni ishte favorit, por Atletiko nuk i trembet askujt. Ne treguam edhe njëherë tjetër se përpara cilësive vjen karakteri i grupit dhe ne kemi me shumicë. Madje, nuk shoh ekipe në qarkullim që të kenë vetëbesimin tonë. Edhe fizikisht ndihemi mirë, prandaj jemi gati për betejën e radhës.
Në Gjermani do të jemi psikologjikisht më të çlirët, prandaj besoj se do të luajmë edhe më mirë sesa në shtëpinë tonë. Në këtë takim, kishim përkrah tifozët dhe presioni ndaj nesh ishte dyfish më i fortë, sepse donim të fitonim edhe për ultrasit tanë. Dhe fatmirësisht ia dolëm, ndonëse ky ishte vetëm hapi i parë. Besojmë te finalja dhe jam optimist se do t’ia dalim”, tha Grizman.