Shvajn bëhet çështje

Bastian Shvajnshtaiger nuk është në planet e Murinjos dhe stërvitja e tij me të rinjtë e Mançesterit Junajtid ka sjellë reagime të shumta. Tekniku është akuzuar për sjellje arrogante ndaj mesfushorit dhe jo vetëm. Madje, ka edhe nga ata që mendojnë se ai duhet të dënohet. Më herët Rumenige ka folur për ‘poshtërim’ të mesfushorit nga trajneri portugez, ndërsa i vëllai i futbollistit ka publikuar një mesazh për mungesë respekti në rrjetet sociale.
Dajan Stefanoviç, avokat dhe anëtar i Federatës Internacionale të Futbollistëve Profesionistë në Slloveni, ka thënë për “BBC” se, Murinjo mund të dënohej për këtë. “Në vendin tonë do të kishim kërkuar maksimumin e dënimit, pra tre vite paraburgim për trajnerin: Zgjedhja e tij ka si objektiv dekurajimin e futbollistit”, ka thënë ai sipas gazetës italiane “La Gazzetta dello Sport”. Ai ka shtuar se, Shvajnshtaiger mund t’i drejtohet kësaj federate për të bërë denoncimin e tij.
Ndërkohë, Uejn Runi është shprehur se, Kristiano Ronaldo dhe Pol Skolls janë dy lojtarët më të mirë me të cilët ai ka luajtur gjatë karrierës së tij. Uejn Runi, kapiteni i Anglisë, autor i 246 golave në 466 ndeshje që kur ai erdhi në “Old Trafford”, në gusht 2004, do të përballet me Evertonin, në një ndeshje që do të luhet pikërisht për nder të ish-sulmuesit. Dhe duke folur për faqen e klubit përpara ndeshjes, ai vlerësoi dy ish-kolegë të tij:
“Doja të thoja se ka dy lojtarë që qëndrojnë veç të tjerëve dhe ata janë: Pol Skolls dhe Kristiano Ronaldo. Skolls është një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave. Pasimi, vizioni dhe mënyra sesi ai kontrollonte ritmin e ndeshjeve, ishte e pabesueshme. Kristiano është një lojtar i veçantë. Ai përfundoi, duke u bërë një prej lojtarëve më të mirë në botë. Disa prej gjërave që ai bënte në stërvitje dhe më pas edhe në ndeshje ishin të pabesueshme. Ai do të kujtohet gjithnjë si një prej më të mëdhenjve të kësaj loje”.
Runi luajti në mesfushë nën urdhrat e Van Galit sezonin e shkuar, por që kur në stol është ulur Zhoze Murinjo, trajneri portugez e ka bërë të qartë se ai e shikon të ardhmen e 30-vjeçarit në folenë e numrit 10, pas sulmuesit kryesor. Se çfarë përzgjedhje do të bëjë Murinjo në skuadrën e parë që do të debutojë këtë sezon në Premier Ligë, mbetet për t’u parë, por Runi pranon se nën urdhrat e portugezit, ai ka një supermotivim për atë që e pret këtë sezon.
“Jam shumë i emocionuar që do të punoj me Zhozenë këtë sezon, sepse ai është një prej trajnerëve më të mirë në botë në qarkullim dhe do të jetë një periudhë emocionuese te Mançester Junajtid”, shtoi njeriu që numëron 115 prezenca me fanellën e kombëtares angleze. “Mua më pëlqen të jem gjithnjë i motivuar si lojtar dhe do të gënjeja nëse do të thosha se nuk jam pak më shumë i emocionuar kur vjen një trajner i ri. Jam i sigurt se djemtë do të jenë të gjithë të kënaqur që do të punojnë me Murinjon dhe do përpiqen që ta befasojnë”.

Artikulli paraprakOlimpiada nis me futbollin e femrave
Artikulli tjetërSinjale rinovimi për Roben dhe Riberi